AKTUALITET, 10 Prill 2020, 14:30

Luhatja e numrit ditor të viktimave “zhgënjeu” italianët, ende nuk ka një rënie të rasteve të koronavirusit

Luhatja e numrit ditor të viktimave “zhgënjeu”


Italia pa një dritë jeshile para dy ditësh kur numri i të infektuarve u ul ndjeshëm krahasuar me një javë më parë kur çdo ditë numri ditor i të vdekurve ishte mbi 700, 800 e shkoi deri në 900.

Prandaj duke qenë se numri u ul ndjeshëm një zyrtar italian tha se duket se ka nisur rënia e shifrave, por jo rënia totale që çon në zhdukjen e virusit.

Pasi gjatë këtyre ditëve është parë sërish një luhatje e shifrave ditore numri i viktimave u rrit nga 542 në 610.

Gjithashtu edhe numri i rasteve të reja shkoi nga 3.836 në 4.204 brenda 24 orëve, duke shënuar një tjetër rritje që zbehu atë pak shpresë që kishin italianët.

Ndërkohë kjo ishte shifra më e lartë që nga 5 prilli prandaj dhe bëri që qytetarët e autoritetet të “zhgënjeheshin” sepse rritja e bilancit ditor nuk ndihmon në lehtësimin e masave.

Deri më tani Italia është vendi më i goditur në botë sa i përket numrit të viktimave, ku në të gjithë territorin italian numërohen rreth 18.279 të vdekur.