AKTUALITET, 28 Mars 2019, 22:33

Lubonja: Paratë e pista po përdoren tek kullat, është mekanizmi me të cilin Rama rri në pushtet

Lubonja: Paratë e pista po përdoren tek kullat, është

Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ka komentuar deklaratat e kryeministrit Rama, se do të rikonstruktohen një numër objektesh me rëndësi të veçantë, si Biblioteka Kombëtare dhe Muzeu Kombëtarë dhe do të prishet Teatri Kombëtar për të ndërtuar një teatër të ri. Lubonja tha se Rama po prish qendrën e Tiranës dhe po ndërton kulla, të cilat shërbejnë si mekanizëm për ta mbajtur atë në pushtet.

“A të bëri përshtypje se si gjithë bota e Edi Ramës, është tek Sheshi, rrotull Skënderbeut, teatri, muzeu. A e di ky që nëpër shkollat e Tiranës, nxënësit janë nga 45-50 veta në klasë?

E di sa është norma që të quhet një klasë që mund të edukosh një fëmijë? Pesëmbëdhjetë. E di ky që spitalet janë në gjendje lufte? E di ky, që ne akoma kemi ato kazanët e plehrave që ka Tirana, nuk ka në botë sepse janë të ndara.

A di ky që nuk kanë më diell shqiptarët, sepse përballë cdo dritare, i ka ngritur një pallat. S’ka hapësira publike, vende ku fëmijet të luajnë. Ky nuk do të dijë fare për këto. Vetëm të bëjë kulla, që të identifikohet me to. Ky njeri nuk është i aftë të dëgjojë kritikat.

Për stadiumin, ekspertët thonë se është një monstër, që ka shkatërruar një nga komplekset më të bukur që kishte Tirana. Ky është edhe artist, një nga tiparet kryesore, janë proporcionet. Të vësh një ndërtesë monstër të atillë, i ke shkatërruar ato ndërtesa. Ky nuk e ka problem, sepse përveç megallomanisë, janë paratë. Kullat, ata që paguajnë.

Në vend ta ndërtojë stadiumin andej nga i ndërton bota, ky e bën mu aty, që i merr frymën qytetit. Ky është mekanizmi me të cilin rri në pushtet. Paratë e krimit, investohen aty, pasurohen këta, fusin në xhepa, qarkullojnë nëpër shqiptarët, paguhen elektorati dhe po zhvillohet nje tumor dhe tumori është bërë më i madh se sa trupi i shëndetshëm. Dhe kemi zhvilluar dipendencë nga tumori. Po të na hiqet tumori, vdesim.”u shpreh Lubonja.

/TPZ.AL/