AKTUALITET, 24 Shtator 2018, 16:28

Luan Dragusha, “heroi” shkodran që la SHBA-të për Shqipërinë dhe përfundoi në pranga (dhe disa spekulime që vijnë nga Shkodra)

Arrestimi i disa mjekëve dhe infermierëve në Shkodër disa ditë më parë, ka shkaktuar shumë polemika.

Sipas një raporti të KLSH-së, ata kishin blerë për spitalin, më shumë materiale nga sa nevojiteshin.

Mes të arrestuarve ishte edhe doktori Luan Dragusha, që kohë më parë u promovua si një histori suksesi nga Rama, pasi la SHBA-të për të ardhur në Shqipëri.

Dhe në fakt, sipas shkodranëve, ai është vërtet një histori suksesi.

Dragusha raportohet se ka kryer 519 ndërhyrje për vendosjen e stendave në zemër për të gjithë pacientët me probleme në zemër.

Një numër i lartë ndërhyrjesh që në spitalin e Shkodrës është kryer falas, ndërsa në spitalet private kjo ndërhyrje kushton rreth 600-700 euro e deri në disa mijëra euro, në varësi të problematikës së ndërhyrjes.

Ajo që të bie në sy është se në raportin e KLSH-së, emri i Luan Dragushës, nuk figuron mes emrave përgjegjës për shkeljet të cilat pretendohen.

Sipas raportit të KLSH-së, ndaj 13 punonjësve është propozuar masë disiplinore me “vërejtje”, kurse është kërkuar shkarkim për 7 të tjerë.

Në listën 20 personave, për të cilët KLSH ka kërkuar masa disiplinore, nuk përfshihet mjeku kardiolog Luan Dragusha, i arrestuar nga Prokuroria për shpërdorim detyre.

Ndërsa policia, çuditërisht i ka arrestuar, pas kërkesës së Prokurorisë.

“Personazhi” kryesor i gjithë kësaj historie, është Luan Dragusha. Madje, në një farë mënyre ai është edhe “fajtori” që u arrestua ai vetë dhe kolegët e tij.

Edhe këtu për një arsye të thjeshtë: Ishte i suksesshëm më shumë nga sa parashikohej në punën e tij, duke u shkaktuar dëme jo të vogla kolegëve në Tiranë, sidomos atyre në spitalet private!

Lehtësoi barrën e shpenzimeve për mijëra familje që ekzaminimet e zemrës, i bënin “dy hapa” larg shtëpisë.

Dhe çfarë është më e rëndësishmja, ishte i suksesshëm 100% në të gjitha ndërhyrjet e tij në Laboratorin e Hemodinamikës në Shkodër”, shkruan një nga portalet e njohura në Shkodër.

Vështirë ta besosh këtë, por është e çuditshme që urdhërohet arrestimi i mjekëve dhe infermierëve për abuzime me spitalin, ndërkohë që normalisht të parët që duheshin proceduar, duhej të ishin drejtuesit e spitalit, që merren me menaxhimin e tij.

Pas kësaj eksperience, mjeku i njohur Luan Dragusha, thuhet se ka vendosur të kthehet sërish në SHBA, pas lirimit nga Gjykata. (TemA)