LIFESTYLE, 24 Maj 2023, 15:13

Shkencëtarët ngrenë alarmin: Po i afrohemi një zhdukjeje masive të specieve në Tokë

Shkencëtarët ngrenë alarmin: Po i afrohemi një

Humbja globale e kafshëve të egra është “dukshëm më alarmante” sesa shkencëtarët vlerësuan më parë, sipas një studimi të ri që tregon se gati gjysma e specieve të planetit po përjetojnë një rënie të shpejtë të popullsisë.

Njerëzit janë përgjegjës për zhdukjen e një numri të madh speciesh, por edhe për shtyrjen e shumë të tjerëve në prag të zhdukjes. Disa shkencëtarë argumentojnë se po hyjmë në “episodin e gjashtë të zhdukjes masive”, këtë herë për shkak të njerëzve.

Faktori kryesor i fenomenit është shkatërrimi i peizazheve të egra për ndërtimin e fermave, qyteteve dhe rrugëve, por edhe ndryshimet klimatike.

Shkencëtarët analizuan më shumë se 70,000 mostra nga e gjithë bota, gjitarë, zogj, zvarranikë, amfibë, peshq dhe insekte, për të përcaktuar nëse popullsia e tyre rritet, zvogëlohet ose mbetet e qëndrueshme me kalimin e kohës.

Sipas hulumtimit të publikuar, të hënën, në revistën shkencore Biological Reviews, popullsia prej 48% e këtyre specieve është në rënie, ndërsa më pak se 3% e krijesave po shtohen.

Këto gjetje janë “dramatikisht shqetësuese”, vuri në dukje, ndër të tjera, një nga autorët e studimit, biologu Daniel Pincheira-Danozzo, nga Shkolla e Shkencave Biologjike në Universitetin e Belfast-it.

“Kërkime të tjera, të bazuara në një mostër dukshëm më të vogël të specieve, kanë treguar se kriza e vazhdueshme e zhdukjes është shumë më serioze sesa vlerësohet përgjithësisht. Gjetjet tona ofrojnë një konfirmim të fuqishëm në shkallë globale”, thekson ai, duke thënë se ky studim ofron një “pamje më të qartë” të shkallës së rënies globale të biodiversitetit.

Lista e Kuqe e Llojeve dhe Vlerësimi i Kërcënimeve

Për dekada, kriza e humbjes së specieve është përcaktuar nga “kategoritë e ruajtjes” që Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), një komision i Kombeve të Bashkuara, cakton për çdo specie që vlerëson herë pas here, shpjegon Pinceira-Danozo.

Bazuar në këtë metodë, Lista e Kuqe e Llojeve të Kërcënuara të IUCN klasifikon rreth 28% të specieve si të kërcënuara me zhdukje.

“Ajo që tregon hulumtimi ynë nuk është nëse speciet klasifikohen si të rrezikuara apo jo, por nëse madhësia e tyre e popullsisë është duke u zhdukur me shpejtësi,” thotë ai, duke shpjeguar se rënia e popullsisë me kalimin e kohës është pararojë e zhdukjes.

Sipas këtij vlerësimi, pra, 33% e specieve aktualisht të klasifikuara si “të pa kërcënuara” në listën e kuqe të IUCN janë në të vërtetë drejt zhdukjes.

Gjitarët, zogjtë dhe insektet po përjetojnë rënie në popullatën e tyre, megjithatë më të prekurit në përgjithësi janë amfibët.

Peshqit dhe zvarranikët konsiderohen të jenë në gjendje më të mirë, me popullatat e tyre që tregojnë qëndrueshmëri numerike me kalimin e kohës.

Gjeografikisht, rënia e popullsisë priret të përqendrohet në tropikët, sipas hulumtimit, dhe kjo për shkak se “kafshët në zonat tropikale të planetit janë më të prekshme ndaj ndryshimeve të shpejta të temperaturave të mjedisit të tyre”, shpjegon Danozzo.