LIFESTYLE, 25 Tetor 2025, 21:58

Pas kafesë, vjen edhe birra në kapsula! Inovacioni kolumbian që mund të revolucionarizojë tregun e pijeve

Pas kafesë, vjen edhe birra në kapsula! Inovacioni kolumbian që

Një grup studiuesish nga Universiteti i La Sabanës në Kolumbi ka zhvilluar një ide novatore që mund të ndryshojë mënyrën si konsumojmë birrën: birra në kapsula. Po, njësoj si kafeja – mjafton të hapni frigoriferin, të merrni kapsulën, ta hidhni në gotë dhe të shtoni ujë të ftohtë. Me ndihmën e një karbonatori shtëpiak, birra bëhet e gazuar dhe gati për t’u shijuar.

Sipas raportimit të Focus.it, shija dhe përmbajtja e alkoolit ruhen plotësisht, madje studiuesit thonë se birra fiton një aromë dhe intensitet më të theksuar.

Si funksionon teknologjia
Procesi i përdorur quhet kriokoncentrim – një metodë që përfshin ngrirjen e pjesshme të ujit në pije dhe më pas eliminimin e kristaleve të akullit që formohen. Kështu, përftohet një birrë e përqendruar, e cila më pas mund të riformohet thjesht duke u përzier me ujë të ftohtë.

Një nga studiuesit, Fabian Leonardo Moreno, shpjegon:

“Në këtë mënyrë ne marrim të njëjtën birrë origjinale, pa humbur përqendrimin dhe me të njëjtat veti si një birrë e sapo derdhur.”

Përfitimet
Përveç inovacionit teknik, metoda ofron edhe avantazhe praktike:

Kosto transporti më të ulëta, pasi produkti përmban më pak lëng;
Paketim më i lehtë dhe më ekologjik;
Kurse hapësirë në frigorifer, duke zëvendësuar shishet dhe kanaçet voluminoze.
Sipas Morenos, rritja e përqendrimit të përbërësve aromatikë dhe të alkoolit gjatë procesit e përmirëson ndjeshëm cilësinë e birrës:

“Duke reduktuar pjesërisht sasinë e ujit, ne arrijmë një birrë me aromë dhe shije më të theksuara – një përvojë më intensive për shqisat,” thekson ai.
Nëse ky inovacion del në treg, një kapsulë birre mund të bëhet shumë shpejt po aq e zakonshme sa ajo e kafesë — revolucioni i radhës në gotë.