TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Pas viteve ’90 Greqia është parë si një nga destinacionet kryesore për emigracionin e sot numërohen rreth 550 mijë shqiptarë që jetojnë në shtetin fqinj. Procedurat për marrjen e dokumenteve e lejen e qëndrimit janë lehtësuar paksa, në një kohë që vonesat për caktimin e një takimi për aplikimin e lejes mund të arrijnë deri në 1 vit. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, Fatos Malaj, ndërmjetës ndërkulturor në Ministrinë e Emigracionit dhe drejtues i organizatës së emigrantëve “Arogji – Përkrahja” tregon se rreth 150 mijë shqiptarë jetojnë ende në mënyrë të paligjshme në Greqi e më tej shpjegon të gjitha mënyrat për të marrë një leje qëndrimi në këtë shtet. Gjithashtu, Malaj thekson kriteret që duhen plotësuar për të marrë nënshtetësinë greke apo për të përfituar pension nga shteti helen.
Sa është numri i emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Greqi?
Deri më tani, numri i emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Greqi përllogaritet të arrijë rreth 550 mijë persona.
Sa prej tyre janë me dokumente të rregullta?
Sipas statistikave, me dokumente të rregullta në Greqi jetojnë rreth 400 mijë emigrantë shqiptarë, ndërsa 150 mijë të tjerë qëndrojnë në mënyrë të paligjshme në shtetin helen.
Sa e vështirë është të marrësh një leje qëndrimi apo leje pune në këtë shtet?
Të gjithë ata emigrantë që kanë një leje qëndrimi e thjesht do të bëjnë rinovimin e saj, nuk është e vështirë pasi janë lehtësuar shumë procedurat dhe është thjeshtuar dokumentacioni që duhet dorëzuar.
Ndërsa pjesa tjetër që qëndron në mënyrë ilegale në Greqi e dëshiron të marrë leje qëndrimi duhet të ndjekë hapa e procedura të tjera.
Cilat janë kriteret që duhet të përmbushin të interesuarit?
Individët që dëshirojnë të jetojnë në mënyrë të ligjshme në Greqi, duhet të vërtetojnë që prej 7 vitesh po jetojnë në këtë shtet me dokumente të ndryshme. Ndërkohë shqiptarët që kanë hyrë në tokën greke para 3 vitesh në mënyrë të ligjshme nëpërmjet 3-mujorshit duhet të arrijnë të vërtetojnë që gjatë këtyre 3 viteve ndodhen në Greqi. Më tej bëhet aplikimi për lejen e jashtëzakonshme që përfitohet nga kategoritë e sipërpërmendura.
Çfarë dokumentacioni duhet të dorëzojnë emigrantët për të marrë leje qëndrimi në Greqi?
Të gjithë ata emigrantë shqiptarë që kërkojnë vetëm rinovimin e lejes së qëndrimit, mjafton që të kenë një librezë sigurimesh shëndetësore me rreth 50 ditë pune. Ndërsa dokumentacioni që duhet dorëzuar nga emigrantët e paligjshëm përfshin vërtetimet e ndryshme si kontrata shtëpie, kontrata pune, raporte të vizitave që mund të ketë kryer personi në spitalet shtetërore të Greqisë, arkëtime apo depozita në bankë. Duhet të theksoj se nuk mund të nënshkruhet një kontratë pune në momentin që emigranti jeton në mënyrë të paligjshme në Greqi, pasi paraprakisht duhet të sigurohet leja e qëndrimit.
Cilat janë disa nga vështirësitë që hasin shqiptarët gjatë këtyre procedurave?
Një nga problemet kryesore që hasin emigrantët shqiptarë është vonesa e caktimit të takimeve për aplikim për leje të ndryshme qëndrimi, të cilat arrijnë e shtyhen edhe me një vit. Pala greke thotë se nuk ka mjaftueshëm punonjës në administratë dhe po mundohemi që të negociojmë e t’i japim një zgjidhje. Gjithashtu, po punojmë që të ulen kërkesat për dokumentacionin për lejen e zakonshme. Vlen të theksoj se ka vonesa për marrjen e nënshtetësisë. Në një takim që u bë me ministrin e Diasporës, Pandeli Majko u diskutua që të ngrihen 3 qendra kulturore shqiptare në Greqi, hapjen e kurseve të gjuhës shqipe, njehsimin e pensioneve, si dhe gjetjen e mundësisë për heqjen e apostilit (vula nga ambasada apo ministria për vërtetimet, certifikatat që vijnë nga Shqipëria).
A ka mënyra të tjera për të marrë leje qëndrimi në shtetin helen?
Normalisht që ka edhe mënyra të tjera. Për të marrë një leje qëndrimi një vjeçare në Greqi, të interesuarit mund të depozitojnë në bankë 24 mijë euro që t’i kenë gjendje, pra 2 mijë euro në muaj. Ndërkohë një tjetër lloj leje qëndrimi është dhe leja 5 vjeçare që mund të përfitohet në momentin që individi shkon në Greqi dhe blen një pasuri të patundshme mbi 250 mijë euro, tokë apo banesë qoftë ajo.
Ka ndonjë profesion të favorizuar, nëpërmjet të cilit mund të sigurohen dokumentet e qëndrimit të ligjshëm në tokën greke?
Ekziston një leje 6-mujorshe nga e cila mund të përfitojnë punëtorët e bujqësisë apo blegtorisë, vende pune, të cilat shpallen nga punëdhënësit grekë.
Pas sa vitesh mund të merret nënshtetësia greke nga individët mbi 18 vjeç?
Të gjithë personat mbi 18 vjeç që jetojnë në Greqi mund të përfitojnë nënshtetësinë greke nëpërmjet asaj që quhet mënyra e politografit, që konsiston në daljen para një komisioni që bën shqyrtimin e kërkesës. Qëndrimi mbi 10 vjet në Greqi është një ndër kriteret që duhet të përmbushin kandidatët dhe leja e qëndrimit duhet të jetë 5 apo 10 vjeçare. Ndërkohë minoritarët pasi marrin lejen e homogjenisë mund të aplikojnë direkt, si ata me banim në Greqi, si ata me banim në Shqipëri.
Çfarë procedurash duhen ndjekur që një minoren shqiptar të marrë nënshtetësinë greke?
Ka 4 kategori të personave nën 18 vjeç që mund të marrin nënshtetësi greke: së pari, janë fëmijët që kanë lindur e jetojnë në shtetin helen, të cilët në momentin që hyjnë në klasën e parë të shkollës fillore mund të marrin nënshtetësi. Gjithashtu, domosdoshmërisht, duhet që njëri nga prindërit e fëmijës të ketë leje 5 apo 10 vjeçare qëndrimi, në të kundërt nuk e merr dot. Kategoria e dytë e përfitimit të nënshtetësisë greke përfshin të gjithë minorenët që kanë mbaruar 9 vite shkollë, ndërsa të gjithë ata individë poshtë 18 vjeç që kanë mbaruar gjimnazin edhe liceun (liqo) përfshihen në kategorinë e tretë që marrin nënshtetësi nga Greqia. Kjo e fundit përfitohet edhe nga kategoria e katërt ku përfshihen minorenët që kanë dhënë provimet e maturës në Greqi dhe kanë fituar universitetin.
A mund të përfitojnë emigrantët pension nga shteti grek?
Për të përfituar pension nga shteti grek, emigrantët shqiptarë duhet të plotësojnë minimumi 4500 ditë pune të rregullta, me kontribute, pra mbi 12 vjet. Të interesuarit duhet të dorëzojnë vërtetimin apo librezën e sigurimeve shoqërore si dokument për të aplikuar si dhe të kenë mbushur moshën mbi 65 vjeç (ata që kanë kryer punë me vështirësi) apo mbi 67 vjeç (punët normale).
Sa është numri i të rinjve shqiptarë që kanë përfunduar apo vazhdojnë studimet në universitetet greke?
Numri i tyre llogaritet të jetë rreth 20 mijë studentë. Por shumica e tyre, ashtu si studentët grekë po mundohen të lëvizin drejt vendeve të tjera të Europës. Ka një ulje të papunësisë në shtetin helen, por kriza vazhdon, e sigurisht emigrantët janë ata që preken të parët