TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Edi Rama, gjithë jetën e tij ka punuar në mënyrë sistematike dhe të pandalshme, me të gjitha mjetet, për të arritur pikërisht këtu ku është sot, në krye të vendit, me pushtet absolut dhe me kundërshtarë të dobët që mund t’i shtypë si mizat, kur të dojë.
Si çdo politikan tjetër në Shqipëri, ai e ka dashur pushtetin, për të gjithë të mirat që vijnë me të. Por, në të gjithë këtë delir, kryeministri ka harruar, ose nuk ka dashur të shohë, se me të gjithë këtë pushtet, vjen edhe përgjegjësia absolute.
Pra, pushtet absolut = përgjegjësi absolute.
Sot, Edi Rama, po përjeton krizën e tij më të madhe, që nga koha kur ka hyrë në politikë dhe ja pse.
Në momentin kur u duk se i mori të gjitha dhe kapi majat, u desh një lakuriq nate (apo ndoshta një gabim njerëzor në një laborator të Wuhanit), që e gjithë ngrehina, që Edi Rama me Rilindjen e tij, ka ndërtuar për shtatë vite, të ekspozohet dhe të dalë fare lakuriq përpara të gjithë shqiptarëve dhe kryeministrit t’i kthehet në fatalitet, pikërisht ajo për të cilën ka luftuar gjithë jetën, pushteti absolut.
Koronavirusi ka shkaktuar një krizë të pashembullt në Shqipëri. Shumë qytetarë, do të vijojnë të zgjohen të papunë. Të tjeraë do të kenë të ardhura të përgjysmuara, apo të reduktuara. Shumë biznese do të gjenden buzë greminës. Ata që jetojnë me turizmin, mund të pësojnë goditje fatale, etj, etj. Dhe pikërisht në këtë moment, të gjithë do të fillojnë të bëjnë pyetje dhe do të kthejnë vështrimin, jo nga lakuriqi i natës dhe laboratori i Whuhanit, por drejt të vetmit institucion që ekziston në Shqipëri, drejt Edi Ramës.
Përse qeveria nuk po na ndihmon sa duhet? Përse qeveria nuk ka para, për të nxjerrë biznesin nga balta? Ku kanë shkuar miliardat e marra borxh në gjithë këto vite? Për cfarë i ka përdorur Edi Rama taksat tona? Përse sot pra, jemi në pikë të hallit?
Këto dhe shumë pyetje të tjera, do të fillojnë të lindin papritur në kokën e të gjithëve ne. Por, mjafton të kthejmë vështrimin pas, të shohim qeverisjen shtatët vjeçare të Edi Ramës dhe përgjigjet janë aty.
Për herë të parë në këto shtatë vite, koncesionet nuk do të jenë koncepte abstrakte, që i’a numërojnë një nga një Edi Ramës, analistët “kazanë” që “nuk e duan Shqipërinë”. Papritur, ato do të ekspozohen për atë që janë, gropa të zeza që kanë thithur miliona euro nga taksat tona.
Fjala vjen, njerëzit do të duan të dinë, se përse Edi Rama, duhet të krijonte koncesionin e check up-it? C’të mirë ka sjelle ai në jetën e tyre, dhe përse ato para të harxhuara deri më sot, nuk janë më, për tu përdorur tani që na duhen më shumë se kurrë?
Të gjitha këto, Edi Rama i kupton më mirë se askush tjetër. Shiheni se si po sillet ai sot me opozitën dhe Presidentin e Republikës.
Orvatjet e kryeministrit për ta ftuar opozitën në bashkëpunim, nuk janë gjë tjetër, veçse nevojë kronike e Edi Ramës, për të ndarë përgjegjësinë e madhe dhe barrën e rëndë që ka mbi supe, me të tjerët.
Në një krizë të tillë, askush nuk dëshiron të ketë mbi supe një pushtet kaq të madh, si ky që mori Edi Rama kur vendosi, të bëhej “mbret”! Pra, duke dashur t’i japë papritur rol Presidentit dhe kreut të opozitës, Edi Rama kërkon të lehtësojë sadopak veten nga përgjegjësia, por jo nga pushteti.
Kjo përpjekje, do të rezultojë e kotë, sepse taktikat e propagandës, sado të sofistikuara, nuk funksionojnë kur të gjithë, nga halli dhe nevoja, i kanë sytë dhe veshët, kaq të hapur sa shqiptarët sot.
Edhe nëse nuk është një manovër propagande, edhe sikur të jetë thjesht instinkt, që lind nga frika se i ka mbetue gjithçka në dorë vetëm atij, Edi Rama, nuk do të mund të ndajë përgjegjësinë e dështimit as me Lulin dhe as me Ilirin. Se fundja, Luli është ai që ngatërron edhe tabelën e shumëzimit, kurse Iliri e ka sfiduar aq shumë fatin e tij, sa ka ngelur pa asnjë pikë pushteti.
Askush nuk do t’i drejtohet këtyre dy “dështakëve”, që nuk kanë patur dhe nuk kanë asgjë në dorë.
Ne sot, kemi një dhe vetëm një timonier dhe prozhektorët do t’i drejtojmë të gjitha mbi të, jo vetëm për ato që ai po bën gjatë kësaj krize, por mbi të gjitha për gjithcka ka bërë në shtatë vite.
Kështu pra, Edi Ramën rrezikon ta “vrasë” koronavirusi, jo sepse ai ka shëndet vulnerabël dhe herë pas here, vështirësi të mbushet me frymë, por sepse ai, në këto shtatë vite, nuk ka lënë asnjë hapësirë, që të gjithë ne të tjerët të marrim frymë.
Ai nuk ka lënë asnjë dalje emergjence, së pari për veten e tij, dhe më pas për të gjithë shqiptarët.
Babëzia e ka çuar në fatalitet dhe u desh një lakuriq nate, shumë larg nesh, që të ekspozojë, se sa e kalbur është ngrehina e qeverisjes së tij.
Ndoshta, ky do të jetë një leksion i madh, për të gjithë ata që në të ardhmen do t'a konceptojnë pushtetin, dhe Shqipërinë si një bahçe personale, ku mund të bëhen mbretër.
Edhe për ata që nuk do ta kuptojnë, ose ndoshta nuk do të duan ta kuptojnë, me siguri, një ditë, atëherë kur nuk e presim kurrë, do të ketë një “lakuriq”, që do t’u shembë mbi kokë, të gjithë pushtetin e rëndë, më shumë "kile" seç peshojnë vetë, që e kanë kërkuar me ngulm ta rrëmbejnë dhe ta kenë të gjithin për vete.
/TPZ.al/