TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Përfaqësuesi i Hollandës, në Bashkimin Europian, Robert de Groot, i ka dërguar një letër, Komisionerit për Çështjet e Migracionit dhe Çështjet e Brendshme, Dimitris Avramopolous, lidhur me votimin e parlamentit hollandez, për të rikthyer vizat me Shqipërinë.
Robert de Groot, rendit aryset e këtij votimi, konkretisht duke cituar nivelin e kriminalitetit të shqiptarëve në Hollandë dhe emigrimin e paligjshëm në këtë vend.
"Që prej vitit 2015, Hollanda ka përjetuar një rritje substanciale, të veprave të rënda kriminale, të lidhura me shtetasit shqiptarë dhe bandat kriminale shqiptare. Kriminelët shqiptarë, janë të përfshirë në trafikun e drogës (më së shumti kokainë), pastrimin e parave dhe trafikun e qenieve njerëzore. Prezenca e tyre në skenën kriminale, po bëhet më e përhershme, jo vetëm sepse veprojnë në fshehtësi, por gjithashtu sepse ata bashkëpunojnë me grupe të tjera të huaja kriminale. Është e qartë që aktiviteti i tyre, është një rrezik iminent për sigurinë e brendshme",
Pasi rendit faktet dhe shifrat, përfaqësuesi i Hollandës, konkludon se:
"Hollanda i kërkon Komisionit, të analizojë informacionin e dorëzuar dhe në konsultim me Shtetet Anëtare, të vendosë lidhur me nevojën për të ndërmarrë akte në bazë të nenit 8(6a), në mënyrë që të luftohet me efektivitet, problemet në lidhje me qytetarët shqiptarë".
Kjo kërkesë, është një hap konkret i Hollandës, pas votimit nga parlamenti, në favor të rikthimit të vizave.
Tashmë vendimi mbetet i Komisionit Europian, por edhe i vendeve anëtare. Nëse vendet anëtare do t'i bashkohen Hollandës, do të mjaftojë një shumicë e thjeshtë, që shqiptarëve t'i rikthehen vizat për një periudhë gjashtë mujore dhe më pas një vjeçare.
Kujtojmë se kryeministri Edi Rama dhe ministri i Jashtëm, Gent Cakaj, e quajtën votimin e parlamentit hollandez, si një vepër të influencuar nga forcat ekstremiste dhe jo të bazuar në fakte. Megjithatë, Hollanda këmbëngul, që Komisioni dhe Shtetet Anëtare të BE-së, të vlerësojnë hapat e mëtejshëm që duhen ndërmarrë për shtetasit shqiptarë, pas votimit të parlamentit hollandez për rikthimin e vizave.
/TPZ.al/
