AKTUALITET, 7 Mars 2018, 16:26

Rama paraqitet në Presidencë, takim me Metën për "detin"

Kryeministri Edi Rama, zhvilloi një takim me Presidentin e Republikës, Ilir Meta. Mësohet se Rama është paraqitur në Presidencë, për të diskutuar rreth marrëveshjeve me Greqinë, veçanërisht rreth marrëveshjes për ndarjen e kufirit detar, për të cilën qeveria kërkon autorizimin e Presidentit.

Kujtojmë se Presidenti Meta, e ka refuzuar dy herë dhënien e autorizimit, duke kërkuar dokumentacion shtesë, sa i përket sqarimit të objektit të marrëveshjes dhe emrat e negociatorëve. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, pretendon se e ka dorëzuar këtë informacion, megjithatë Presidenti Meta e ka kthyer për herë të dytë, dhënien e autorizimit, duke kërkuar sqarime të mëtejshme.

Duket se për qeverinë refuzimi i Metës është kthyer në një problem serioz, për shkak se marrëveshja për ndarjen e kufirit detar, me gjasa do të vonohet, gjë që do të pamundësojë firmosjen e marrëveshjes gjatë vizitës së kryeministrit grek Tsipras në Prill. Prezenca e Ramës në Presidencë ditën e sotme, reflekton pikërisht këtë urgjenc të qeverisë, për të konkluduar një marrëveshje sa më parë.

/TPZ.AL/

Në foto, Rama duke dalë nga Presidenca