TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Laçi mori një fitore të madhe (2-0) ndaj Kukësit për objektivin Europë e njëkohësisht i bëri një shërbim të madh Tiranës në luftën për titullin kampion, pasi diferenca mes bardhebluve dhe verilindorëve mbetet 9 pikë, një hendek ky shumë i madh për t’u rikuperuar nga skuadra e drejtuar nga Orges Shehi në gjashtë javët e mbetura të kampionatit.
Një sukses i merituar nga kurbinasit, falë “armës” që i karakterizon në ndeshjet shtëpiake: grinta. Regi Lushkja i dha epërsinë Laçit në minutën e 35-të, pasi u shërbye nga Deliu, ndërsa golin që i dha goditjen përfundimtare Kukësit e shënoi 19-vjeçari Selmani në minutën e 71-të, një finalizim ky që ngriti peshë stolin vendës. Asgjë nuk ndryshoi në minutat e mbetura, përtej rasteve të krijuara në të dyja portat (në dy momente kundërsulmi bën mrekullinë Xhika), me kurbinasit që me këtë fitore ngjit në në vendin e tretë (49 pikë) dhe i kërcënojnë madje pozicionin e dytë Kukësit (53).
Përmbush pritshmëritë Teuta në transfertë me Luftëtarin, ku fitoi me rezultatin e thellë 1-5. Sigurisht që përballë një skuadre të rënë nga kategoria dhe me lojtarë të rinj “Djemve të Detit” nuk iu desh shumë impenjim për të marrë fitoren.
Për skuadrën e drejtuar nga Edi Martini e hapi serinë e golave Hebaj, për ta vijuar me dy golat e njëpasnjëshëm të Kallaku, finalizimin e Avdylit dhe në fund sërish me Kallakun, që sigloi tregolësh në këtë takim. Golin e vetëm për gjirokastritët, atë të rezultatit të përkohshëm 1-1, e realizoi Haxhiu.
Fitore “in extremis” e Bylisit përballë Skënderbeut në “Adush Muça”. Golin e vetëm të këtij takimi e realizoi Isli Hidi me 11-metërsh në minutën e tretë shtesë. Një fitore që merr shumë vlera për ballshiotët, të cilën krijojnë një diferencë prej katër pikësh me Vllazninë, e cila me renditjen aktuale do të luante në play out.