AKTUALITET, 8 Janar 2018, 21:40

Kush është pasuesi i Çakos, njëherësh i besuari i Fatmir Xhafës?!

Kush është pasuesi i Çakos, njëherësh i besuari i

Shkarkimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako, ishte një kronikë e paralajmëruar, jo për shkak të paaftësisë së tij si drejtues, por si pasojë e rivalitetit që Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, kishte krijuar me paaradhësin e tij Saimir Tahiri.

Xhafaj nisi valën e shkarkimeve të gjithë zinxhirin drejtuesve të Policisë së Shtetit, që ishte në kohën e Tahirit. I fundit i "moikanëve" ishte Haki Çako. Por kush do të jetë pasuesi i tij, njëherësh i besuari i ministrit Fatmir Xhafaj?!

Burime për Tpz.al, bëjnë me dije se 3 janë kandidaturat kryesore që do të zëvendësojnë Haki Çakon. I pari është Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardi Veliu. Ai është një nga njerëzit më të besuar të Ministrit, Fatmir Xhafaj. Veliu nuk i plotëson kriteret për tu bërë drejtor pasi nuk ka gradën e nevojshme në Policinë e Shtetit. Ky është një ndër kriteret kryesore, i përcaktuar qartë  sipas ligjit Nr. 108/2014, ku kandidati për Drejtor të Përgjithshëm, duhet të mbajë gradën “Drejtues i lartë” ose “Drejtues i parë”. Këto dy grada i kanë Drejtori i Përgjithshëm si dhe Zv. Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Edhe pse këtë kriter, Ardi Veliu nuk e plotëson, Xhafaj mund të thyej ligjin, njësoj siç u bë në rastin e Artan Didit i cili u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Veliaj njësoj si Xhafaj është nga Vlora, ndërsa njihet edhe për miqësinë e tij me vëllain e Ministrit, Agron Xhafaj. Madje, qarkullojnë zëra se Ardi Veliu, në kohën kur mbante postin e Drejtorit të Policisë Bashkiake në Vlorë, ka lejuar ndërtimin e një objekti pa leje, të Agron Xhafës.

Emri i dytë i shumëpërfolur, është Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në Ministrinë e Brendshme, Eduart Merkaj. Ky i fundit vjen nga qyteti i Lushnjes, i plotëson kriteret ndërsa thuhet se lidhjet e tij me Xhafaj se janë tepër të forta. Një pjesë e mirë e drejtuesve të Policisë së Shtetit në rrethe, janë shkarkuar në bazë të raporteve dhe kërkesave që Eduart Merkaj ka raportuar pranë Ministrit Xhafaj. Merkaj shihet si kandidat potencial, kjo edhe për shkak të eksperiencës së tij në organet ligj-zbatuese.

Emri i tretë, është Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Sigurisë (Shkolla e Policisë),Bilbil Mema. Ai  është mbajtur si një ndër figurat më kryesore të policisë, ndërsa u rikthye në vitin 2013 pas 11 vjet reformë nga qeveria Berisha dhe Nano. Ai ka mbajtur për pak muaj postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vitin 2000 dhe shihet si një kandidat me përvojë për tu rikthyer në këtë post. Bilbil Mema është nga Cakrani i Fierit, ndërsa njihet për miqësinë e tij me Fatmir Xhafajn por edhe me kryeministrin Edi Rama.

Zërat flasin edhe për zv. Drejtorin e Përgjithshëm, Rebani Jaupi, aktualisht drejtor i komanduar, por burime për Tpz.al konfirmojnë se ky kandidat nuk është i përshtatshëm për këtë pozicion të lartë.

Të tre këta emra, Veliu, Merkaj dhe Mema, janë potencial për tu emëruar si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, por nga ana tjetër nuk dihet fati i Haki Çakos, nëse do të vijojë të jetë në strukturat e Policisë, apo do të arratiset njësoj si paradhësi i tij, Artan Didi./TPZ.AL/