TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve është diskutuar mbi ecurinë e veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor, ku ishte thirrur për të raportuar Naureda Llagami, kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ).
Llagami u shpreh se Gjykata e Lartë do të jetë funksionale në muajin shtator, pasi përbën edhe një prioritet të KLGJ-së. “Prioriteti ynë kanë qenë kandidatët që do të shkojnë në Gjykatën e Lartë, në mënyrë që kandidatët të kenë integritetin për të cilën bëmë edhe reformën në drejtësi. Nuk mund ta ulim nivelin, të lejojmë që të fusim në sistem njerëz të paverifikuar të cilët nuk kanë kaluar vetting-un”, tha Llagami.
Gjykata e Lartë nuk është funksionale që prej muajit maj të këtij viti, pasi ka mbetur me vetëm dy anëtarë: Xhezair Zaganjorin dhe Ardian Dovranin. Raportohet se numri i dosjeve të pashqyrtuara ka arritur në 32 mijë dhe gjykata ka marrë ambiente me qera për depozitimin e tyre.
Ky institucion i drejtësisë do të ketë 19 anëtarë, ndërsa anëtarët jo-gjyqtarë do të përbëjnë vetëm 1/5 të trupës. Javës së kaluar, KLGJ miratoi akt-rregulloren e vlefshme vetëm për kandidatët jo-gjyqtarë. Këta të fundit duhet të kenë të paktën 15 vite karrierë si juristë të spikatur dhe të kenë merita profesionale, personale dhe organizative. Ata duhet të kenë ekspertizë të spikatur, si dhe të vlerësohen për përgjegjshmëri dhe paanësi. Gjatë përzgjedhjes, KLGJ do të marrë parasysh edhe gradat shkencore të juristëve.
Për sa i përket anëtarëve të Gjykatës së Lartë që do të vijnë nga jashtë sistemit gjyqësor, Llagami tha se është bërë shpallja dhe po bëhet procesi i verifikimit. “Në vjeshtë do të kemi emërimet e reja. Në shtator do të kemi Gjykatën e Lartë”, shtoi ajo.