AKTUALITET, 2 August 2026, 21:31

“Turp, turp!”/ Debati për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër, banorët në protestë: I kemi të freskëta plagët

Një grup qytetarësh protestuan këtë të diel në qendër të Shkodrës, duke shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë, por edhe kundërshtimin për krijimin e një konsullate serbe në qytet.

Protestuesit marshuan në rrugët e Shkodrës me pankarta dhe flamuj kombëtarë, ndërsa gjatë fjalimeve deklaruan se hapja e një konsullate serbe në Shkodër është e papranueshme.

Sipas tyre, qyteti nuk ka asnjë lidhje historike, ekonomike apo diplomatike që të justifikojë praninë e një konsullate serbe. Ata argumentuan gjithashtu se kjo është e papranueshme edhe për shkak të krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar se mijëra shqiptarë u vranë dhe u masakruan gjatë konfliktit.

“Duan të hapin një konsullatë serbe në Shkodër. Turp, turp. Serbia nuk është as shtet i BE-së, as ndonjë shtet lider në Evropë. Ne i kemi të freskëta plagët dhe varret masive. Kemi vuajtur shumë, shtegtimin, dëbimin e një populli të tër“, u shpreh një nga protestuesit.

Protestuesit kërkuan që autoritetet të rishqyrtojnë këtë vendim dhe të mos lejojnë hapjen e konsullatës në Shkodër.

Gjatë protestës u hodhën gjithashtu thirrje kundër qeverisë, ndërsa manifestimi u zhvillua pa incidente.