AKTUALITET, 23 Mars 2018, 17:49

KPK shkarkoi Fatos Lulon, bllokohet Kushtetuesja/ Ja reagimi i ministres së Drejtësisë...

KPK shkarkoi Fatos Lulon, bllokohet Kushtetuesja/ Ja reagimi i ministres së

Shkarkimi i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo, nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkaktuar reagimin e ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Në një reagim në rrjetet sociale, Gjonaj shprehet optimiste për hapat që po bën reforma në drejtësi. Por në anën tjetër, pas këtij vendimi të KPK-së, Gjykata Kushtetuese është e bllokuar, pasi kanë mbetur vetëm 5 anëtarë, nga minimalisht 6 që duhet të ketë.

Fatos Lulo ka qenë anëtar i gjykatës Kushtetuese që prej vitit 2013, ndërsa nga sot ai nuk do të jetë më pjesë e drejtësisë. Kryesuesja e KPK-së nuk i bëri publike argumentat që largojnë nga drejtësia Fatos Lulon, arsyetime që do të duhet të bëhen publike brenda 30 ditëve. Fatos Lulo nuk ishte në asnjërën prej seancave, ndërsa avokati tij, Ardian Visha, e konsideroi vendimin të padrejtë dhe lëvizje të ulët.

Komenti i Etilda Gjonaj

Sot, zbatimi i Reformës në Drejtësi shënoi një hap tjetër të rëndësishëm, të shumëpritur! Vendimi i parë i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit garanton ecurinë përpara të procesit të Vettingut si dhe rikthen besimin tek qytetarët për pastrimin e sistemit të drejtësisë. Qytetarët shqiptarë meritojnë një sistem drejtësie me gjyqtarë dhe prokurorë që besojnë në detyrën e rëndësishme që kanë marrë përsipër dhe mbrojnë vetëm interesin më të lartë të qytetarëve dhe shoqërisë dhe jo interesat e tyre personale financiare ose politike.

Reforma në Drejtësi përkundër të gjitha përpjekjeve për ta dëmtuar apo penguar, po jep rezultatet e saj të njëpasnjëshme, duke garantuar jo vetëm suksesin e kësaj reforme, por edhe një tregues pozitiv për çeljen e negociatave me BE-në. Përgëzimet për fillimin e procesit vendimmarrës të Vettingut i shkojnë jo vetëm Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, por edhe kolegëve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Falënderojmë partnerët tanë ndërkombëtarë për kontributin e tyre të pakursyer për dizenjimin dhe vënien në jetë të Reformës në Drejtësi. Rezultatet e ditë pas dite na vërtetojnë suksesin e padiskutueshëm të Reformës në Drejtësi! Qeveria shqiptare do të vijojë të mbështesë me infrastrukturë dhe buxhetin e nevojshëm për funksionimin optimal të organeve të Vettingut si dhe organeve të reja të sistemit të drejtësisë.