AKTUALITET, 25 Korrik 2020, 22:51

Kosova blen automjete të blinduara nga SHBA-ja

Kosova blen automjete të blinduara nga SHBA-ja

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Rrahman Rama, konfirmoi për Radio Evropa e Lirë se në Kosovë të shtunën ka arritur një kontingjent me automjete të blinduara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për FSK-në.

Sipas tij, arritja e këtij kontingjenti ka të bëjë me një kontratë që Kosova e nënshkruar me SHBA-në vitin e kaluar.

Ai shtoi se blerja e automjeteve të blinduara është bërë me buxhetin e Kosovës.

“Është pjesa e dytë e kontingjentit që ka ardhur. Javën e kaluar ka ardhur një pjesë dhe tani është kompletuar. Bëhet fjalë për automjete të blinduara, tipit Humvee nga SHBA-ja”, tha Rama.

Gjenerallejtënant Rama, megjithatë tha se numri dhe kostoja e automjeteve tash për tash është informacion i klasifikuar, por shtoi se për këtë gjë mund të flitet në të ardhmen. Ai tha se mund të priten edhe kontrata të tjera me SHBA-në.

“Realisht, kjo është kontratë e klasifikuar. Mbi bazën e nevojave do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. Në të gjitha kontratat i kemi me SHBA-në edhe për sistem të armatimit edhe për këto automjete taktike. Edhe vitin e ardhshëm do t’i kemi (kontratat) tjera”, tha Rama për REL.

Rama shtoi se vitin e kaluar Kosova ka marrë si donacion 27 automjete ushtarake të njëjta (Humvee) nga SHBA-ja, kurse para dy vjetësh është realizuar edhe një blerje prej 24 automjetesh.

Në 2018, ndërmjet kompanisë amerikane AM General dhe Qeverisë së Kosovës u nënshkrua kontrata për pajisjen e FSK-së me 51 automjete të tipit Humvee.

Sipas Ramës, blerjet e automjeteve të reja të blinduara, u bën bazuar në kërkesat dhe nevojat që ka FSK-ja.

“Kjo po bëhet në bazën e ngritjes së kapaciteteve, por njëkohësisht është bazuar edhe në ligjet e reja, në mandatin edhe misionin e ri”, tha Rama.

Në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore, për të ndryshuar mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Kësaj force është thënë se do t’i nevojitet një periudhë kohore prej 10 vjetësh për t’u transformuar në ushtri me kapacitete të plota.

Më herët është thënë se transformimi dhe ngritja e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pritet t’i kushtojë buxhetit të Kosovës nga 55 milionë euro në vit, sa ka qenë në vitin 2018, në afër 100 milionë euro në vit, diku pas 5 apo 6 vjetësh. Për transformimin e FSK-së, është planifikuar që buxheti për çdo vit të rritet me nga 5.5 milionë euro, që deri më tani, sipas Ramës, kjo gjë është përkrahur.

Përgjegjësitë e reja të FSK-së kanë të bëjnë me ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, qytetarëve, pronave dhe interesave të Republikës së Kosovës, si dhe mbështetje ushtarake për autoritetet civile dhe pjesëmarrjen në operacionet ndërkombëtare.

Me planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, planifikohet që numri i pjesëtarëve të FSK-së të arrijë në 5 mijë pjesëtarë aktivë dhe 2 mijë e 500 rezervë. /REL