SPORT, 5 Qershor 2020, 13:51

Koronavirusi “fundos” Bylisin, akuza dhe largime pa fund te klubi ballshiot


Shkëlqimi dhe rënia e Bylisit. Nga një ekip që ëndërronte Kupat e Europës, tashmë po bën llogaritë e mbijetesës.

Dëmtimet e shumta bënë të vetën, e megjithatë goditjen më të madhe në kohë pandemie ia dhanë… largimet. Edhe pse në nisje të këtij sezoni bënë një merkato të bujshme, 9 ndeshje nga fundi situata është përmbysur katërcipërisht.

STARTI I FRIKSHËM

Starti ishte i frikshëm. Një humbje në Durrës, e më pas vetëm ngjitje. Pas 10 javësh mblodhën 20 pikë, falë 5 fitoreve dhe 5 barazimeve.

Fazën e parë e mbyllën të dytët në tabelë, me një pikë larg Partizanit të vendit të parë.

Në Ballsh menduan edhe zonën “Euro” dhe me të drejtë, derisa skuadra bindte me lojë e gola. Rekordi i pathyeshmërisë u prish nga Skënderbeu. E megjithatë, sërish kishin forca që të befasonin Partizanin, Laçin e Luftëtarin.

Kjo bëri që të ruanin pozitat që kishin në mbyllje të 2019-ës. Gjysma e parë e garës mbyllet si s’ka më mirë, Bylisi e mbyll i dyti me 1 pikë më pak se Kukësi, pra 30 mallakastriotët dhe 31 verilindorët!

“RËNIA E LIRË”

Dëmtimi i Ymeralilajt dhe Antoni prishën shumë balanca. Lojtarët u detyruan që të mbyllnin para kohe sezonin, e megjithatë disa afrime në dimër bënë që situata të normalizohej. Bylisi pritej të ishte më i fortë, por aty nisën disfatat.

Nuk munguan as akuzat ndaj arbitrave, fillimisht ndaj Laver Allës për një penallti sade ndaj Tiranës ( e humbur 2-1), vijoi me Vllazninë ku anulohet një 11-metërsh me pamje nga telefoni prej zyrtarit të FSHF-së Bujar Pregja dhe vijoi në Korçë me një tjetër penallti të paqenë në favor të Skënderbeut, çka solli tërheqjen për pak minuta nga fusha. Bylisi i fushës edhe pse luan mirë, nis “rënien e lirë”.

E megjithatë, kthesa vjen në Kupën e Shqipërisë ku edhe pse humbin, kualifikohen në Laç. Por vetëm kaq, pasi në kampionat nuk fitojnë dot prej 10 ndeshjesh. Edhe pse kanë marrë 6 pikë me barazime, nuk i qëndruan dot larg zonës së rrezikut.

PANDEMIA DHE PAGAT

Presidenti Besnik Kapllanaj e pati pohuar se me rënien e pandemisë “COVID-19” do të humbasë edhe futbolli. Kriza financiare u ndje edhe në Ballsh, atje ku mbështetja e bashkisë ka qenë thuajse zero.

Edhe pse FSHF-ja doli me një udhëzim të miratuar nga Komiteti Ekzekutiv se muajt mars dhe prill do të jepen si “paga lufte”, lojtarët shfaqën pakënaqësi dhe dolën kundër klubit. Visente Paula de Mercedes (i ardhur në fund të janarit), refuzoi të dilte në stërvitje. Më pas ishte edhe Fabian Migel Munoz që kërkoi të largohej, për shkak se bashkëshortja e tij ishte shtatzënë dhe nuk i përshtateshin kushtet.

“Goditja” më e rëndë erdhi prej Ditmar Bicajt, që nuk është stërvitur për asnjë ditë që pas rikthimit të ekipit në stërvitje. Mbrojtësi pretendon se nuk paguhet prej tre muajsh, ndaj vendosi të bojkotonte.

Bashkë me të ishte edhe Isli Hidi, e megjithatë portieri bëri prapakthehu. Sikur të mos mjaftonin 3 largime në pak ditë, arratiset edhe Saliu Guindo. Ndonëse duhej që të qëndronte në Ballsh deri në fund të garës, ai është “zhdukur”. Klubi do të marrë masa për të gjithë të huajt, të paktën këtë paralajmërim ka dhënë presidenca.

24 orë para ndeshjes me Tiranën, në Ballsh shokohen pasi mësojnë se Eridon Qardaku rezulton i prekur nga Koronavirusi. Tërë skuadra dhe punonjësit e hotelit iu nënshtruan analizave duke vendosur “kujën” edhe në Kategorinë Superiore, por situata u qetësua kur dolën përgjigjet. Çdo i testuar rezultoi negativ dhe për rrjedhojë nuk kishte asnjë pengesë për të luajtur javën e 27-të.

Por situata nuk ishte aspak e qetë. Ankthi ndikoi te të gjithë dhe madje Veljko Dovedan bëri lëvizje në formacion, sepse në mungesë të Jankut ndryshoi qendrën e mbrojtës dhe në vend të Qardakut aktivizoi Mozonen.

Bylisi mundet 1-3 nga Tirana, duke thelluar bilancin e rezultateve negative.

Aktualisht në krizë pikësh dhe në renditje, pasi zyrtarisht janë në vendin e 8-të dhe rrjedhimisht në zonën e “Play Out”-it, që të çon në ndeshje shtesë./ Panorama Sport