AKTUALITET, 9 Prill 2018, 14:24

Kontrolli, 128 mjete të braktisura largohen nga rruga

Kontrolli, 128 mjete të braktisura largohen nga rruga

Si pasojë e aksidenteve të shumta dhe blokimit të rrugëve nga makinat e papërdorura, policia ka kryer një aksion.

Mësohet se është arrestuar edhe një person me akuzën e korrupsionit aktiv.

Policia Rrugore e Tiranës vijon punën për të parandaluar dhe ndëshkuar shkelësit e Kodit Rrugor, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, si dhe për të evidentuar dhe ndëshkuar të gjitha shkeljet e adresuara nga qytetarët të cilat bëhen pengesë për një qarkullim të lirshëm dhe të sigurtë të automjeteve dhe këmbësorëve.

Paralelisht me monitorimin dhe kontrollet e përbashketa policore për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe evidentimin e shkeljeve administrative, vazhdon edhe kontrolli i territorit per mjetet e braktisura që kanë zënë hapesirat publike brenda komplekseve të banimit dhe rrugë të tjera.

Kontrollet më të shtuara për respektimin e sinjalizimit rrugor të ndritshem(semafor), janë fokusuar në rrugët kryesore urbane si në rrugën "Dritan Hoxha", rrugën e Kavajës, rrugën "Konferenca e Pezës" dhe në urën e ngushtë të "Babrrusë", ku nga kontrollet janë konstatuar dhe ndëshkuar për shkelje të semaforit 88 drejtues mjetesh si dhe është proçeduar penalisht për vepren penale të “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, shtetasi me iniciale E.L 49 vjeç i cili pasi u konstatua në shkelje të semaforit dhe me qëllim shmangien e penalizimit tentoi t'i ofroi agjentit verifikues një shumë të caktuar lekësh.

Gjithashtu janë evidentuar dhe njoftuar 128 mjete që nisur nga rrethanat dhe gjendja e tyre ekziston arsyetimi i bazuar që mund të jenë të braktisura si dhe janë spostuar me mjet ngritës 25 mjete të kësaj kategorie që ndonëse janë njoftuar nga policia nuk i kanë larguar mjetet nga hapësira publike brenda afatit të caktuar.

Policia Rrugore e Tiranës , edhe në ditët në vijim, do fokusohet në zgjidhjen e shqetesimeve që janë adresuar nga qytetaret nëpërmjet ankesave dhe denoncimeve në numrin e emergjencave 112, Komisariatin Dixhital, etj; duke shfrytëzuar të gjitha pajisjet teknike e llogjistike për të evidentuar dhe ndëshkuar shkelësit rrugore , kryesisht ata që janë burim i shtuar aksidenti, si drejtimi i mjeteve pas përdorimit të alkolit, shpejtësi tej normave të lejuara, parakalime dhe mosrregullimi i shpejtësisë në qendrat e banuara, përdorim i celularit gjatë drejtimit të mjetit, mos përdorim i rripit te sigurimit e i kaskave mbrojtëse etj.