SPORT, 14 Korrik 2018, 12:36

Klubi e zyrtarizon, Maurizio Sarri flet si trajner i ri i Chelsea

Klubi e zyrtarizon, Maurizio Sarri flet si trajner i ri i Chelsea

Chelsea ka konfirmuar Maurizio Sarri si trajnerin e ri. Italiani ka nënshkruar një marrëveshje trevjeçare me skuadrën nga “Stamford Bridge” dhe do të zëvendësojë Antonio Conten, i cili u shkarkua të premten.

Chelsea ka një javë që e ka nisur trajnimin për sezonin e ri, por 59-vjeçari është i etur për të filluar në detyrën e tij të re. “Unë pres që të filloj punën dhe të takohem me lojtarët të hënën, përpara se të udhëtoj në Australi, ku do të mund të njihja skuadrën dhe të fillojmë aksionin tonë, – tha Sarri për faqen zyrtare të klubit. – Unë shpresoj se mund të sigurojmë futboll të këndshëm për tifozët tanë dhe se do të fitojmë trofe në fund të sezonit, çka është ajo që meriton ky klub”.

“Blues”, ndërkohë, shpresojnë që ai të mund të prodhojë një “markë” të tillë futbolli, për t’i emocionuar tifozët. Drejtori Marina Granovskaia deklaroi: “Jemi të kënaqur të mirëpresim Maurizio dhe po presim që ai të sjellë filozofinë e tij të futbollit te Chelsea.

Napoli i Maurizio ka luajtur futbollin më emocionues në Europë, duke impresionuar me qasjen dhe dinamizmin sulmues. Metodat e tij të stërvitjes i përmirësuan ndjeshëm lojtarët në dispozicion të tij. Ai ka shumë përvojë në Seria A dhe Ligën e Kampionëve dhe e dimë se po e shijon mundësinë për të punuar në Premier League”.

Jorginho pritet të ndjekë trajnerin në Londër, me Chelsea të vendosur të mundë Manchester City për nënshkrimin e mesfushorit. Pritet që ai të kushtojë 50 milionë paundë. Ndërkohë, saga e “Blues” me Conten mund të fillojë vetëm pasi ish-trajneri të ndërmarrë veprime ligjore kundër klubit, për të siguruar 9 milionë paundë kompensim për veten dhe stafin e tij.