TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar kanë rënë dakord që të ndajnë pasuritë e rikuperueara nga një çështjet e përbashkëta penale. Dy vendet kanë firmosur marrëveshjen e parë të këtij lloji në Ballkanin Perëndimor, e cila parashikon ndarjen e aseteve të sekuestruara nga aktiviteti kriminal dhe riinvestimin e tyre në projekte me interes publik.
Dosja e parë ku është zbatuar kjo marrëveshja lidhet me trafik kanabisi në Angli dhe Uells. Gjatë hetimeve, autoritetet britanike dhe shqiptare bashkëpunuan për të gjurmuar përfitimet e krijuara nga aktiviteti kriminal, të cilat u identifikuan dhe u rikuperuan në Shqipëri.
Shuma e parë që do të ndahet mes dy vendeve është 54 mijë paund. Fondet do të kalojnë në pjesë të barabarta për Qeverinë britanike dhe Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), duke shënuar zbatimin e parë konkret të kësaj marrëveshjeje.
Dokumenti u prezantua edhe në Tiranë gjatë një ceremonie ku morën pjesë ambasadori britanik Nicholas Abbott dhe drejtoresha e AAPSK-së, Risena Xhaja, ndërsa u nënshkrua zyrtarisht në Mbretërinë e Bashkuar më 6 gusht.
Marrëveshja është rezultat i bashkëpunimit mes Home Office, Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA), Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës (CPS) dhe AAPSK-së, pas disa muajsh pune të përbashkët për gjurmimin dhe rikuperimin e pasurive të krijuara nga krimi.
Bashkëpunimi mes Londrës dhe Tiranës nuk është kufizuar vetëm te kjo çështje. Vitet e fundit, Mbretëria e Bashkuar ka mbështetur autoritetet shqiptare me trajnime, pajisje dhe asistencë për hetimin e pastrimit të parave, gjurmimin e aseteve kriminale dhe përdorimin e kriptomonedhave nga rrjetet e krimit të organizuar. Në vitin 2025 ajo udhëhoqi edhe aktivitetin e Procesit të Berlinit për Financat e Paligjshme, me fokus rikuperimin e pasurive në Ballkanin Perëndimor.
Shifrat tregojnë edhe për rritjen e sekuestrimeve në Shqipëri. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2025 u sekuestruan dhe konfiskuan pasuri me vlerë mbi 58 milionë euro, përfshirë më shumë se 1 mijë pasuri të paluajtshme, në një kohë kur autoritetet po shtojnë vëmendjen ndaj përdorimit të sektorit të pasurive të paluajtshme për pastrimin e parave.