AKTUALITET, 18 Prill 2019, 09:26

Kishte kaluar vetingun, KPA shkarkon gjyqtarin Astrit Faqolli, ja arsyeja

Kishte kaluar vetingun, KPA shkarkon gjyqtarin Astrit Faqolli, ja arsyeja


KPA ka vendosur shkarkimin nga detyra te gjyqtarit Astrit Faqolli, në Gjykatën e Shkallës së Parë, Tiranë, i cili kaloi me sukses vetingun, por u ankimua nga Komisioneri Publik.

Në vendimin e sotëm, KPA ka theksuar se shkak është bërë pasuria e pambështetur, shkak për të cilën e kishte ankimuar edhe KP.

Kujtojmë se KPK e konfirmoi në detyrë, por komisioneri Publik e ankimoi vendim për gjyqtarin Astrit Faqolli, duke theksuar në atë kohë se:

“Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, konfirmimi në detyrë i subjektit të rivlerësimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është bërë në interpretim të gabuar të ligjit dhe të provave të administruara gjatë hetimit administrativ”, thuhet ne njoftim.

ANKIMIMI

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr.47, datë 25.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Astrit Faqolli, gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë, Tiranë, kandidat për anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, konfirmimi në detyrë i subjektit të rivlerësimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është bërë në interpretim të gabuar të ligjit dhe të provave të administruara gjatë hetimit administrativ.

Komisioneri Publik, në zbatim të kompetencave të njohura nga neni C dhe F i Aneksit të Kushtetutës, referuar neneve 61/3 dhe 63 të ligjit nr.84/2016, mbi të njëjtat prova të administruara nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, që në përfundim të gjykimit të çështjes në seancë publike, të vendosë ndryshimin e vendimit nr.47, datë 25.7.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të shkarkojë nga detyra subjektin e rivlerësimit, z. Astrit Faqolli.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16 të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: www.ikp.al

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

Problemet qe u konstatuan

Sipas KP-së, në vendimin e konfirmimit Komisioni është mbështetur në arsyetime dhe qëndrime jo të sakta, lidhur me kuptimin dhe zbatimin e ligjit. Ankimimi i Komisionerit ka të bëjë vetëm me kriterin e pasurisë, për të cilin pretendon se nuk ka arritur nivelin e besueshëm. Së pari, sipas KP-së Faqolli nuk arrin të mbulojë me të ardhura të ligjshme blerjen e një apartamenti në Tiranë, si dhe nuk justifikon burimet e deklaruara.

Si burim të krijimit ka deklaruar një shumë të marrë hua nga kunati, në vlerën e 10 mijë eurove dhe sipas KPsë, kunati nuk ka pasur të ardhura. Gjithashtu, Ballhysa thotë se gjyqtari nuk arrin të mbulojë me të ardhura të ligjshme kursimet e deklaruara. Referuar vendimit të Komisionit, gjyqtari ka deklaruar se kursimi prej 5.000.000 lekësh ka burim kryesor të ardhurat nga aktiviteti privat i bashkëshortes.

Edhe për kursimet e deklaruara në vitet 2004-2005, gjyqtari nuk arrin t’i justifikojë. Me probleme, sipas Komisionerit, rezulton edhe shitja e një makine të deklaruar si burim për këtë pasuri.

Në fund, komisioneri Ballhysa u shpreh se Faqolli nuk mbulon me të ardhura të ligjshme blerjen e apartamentit për një shumë totale prej rreth 2.4 milionë lekësh. Së dyti, probleme sipas Ballhysës, janë konstatuar edhe në pasurinë shtëpi 3-katëshe në Librazhd.

Komisioneri tha se gjyqtari ka bërë deklarim të pamjaftueshëm. Po ashtu, të dyja burimet e deklaruara për krijimin e të ardhurave në vlerën prej 2.983,619 lekësh, që kanë shërbyer për fitimin e pronësisë së pasurisë së paluajtshme, nuk mbulohen me të ardhura të ligjshme.