AKTUALITET, 27 Korrik 2020, 12:18

Kim dhe Soreca zbardhin takimin me Ramën: Të falenderojmë për udhëheqësinë tënde

Kim dhe Soreca zbardhin takimin me Ramën: Të falenderojmë


Është zbardhur takimi ndërmjet kryeministrit Edi Rama dhe ambasadorëve të SHBA-së dhe BE-së në vendin tonë, i cili u mbajt paraditen e sotme në kryeministri.

Burime nga ambasadat janë kujdesur që të zbardhin takimin për mediat, ku theksohet falenderimi që i është bërë Ramës për kalimin e marrëveshjes së 5 Qershorit në Kuvend, ndërkohë që nuk zihen në gojë ndryshimet Kushtetuese, të cilat konsiderohen si elementë shtesë.

E megjithatë në citimin e ambasadorit të BE-së thuher qartë se gjithëpërfshirja e palëve politike është thelbësore kur bëhet fjalë për çështje elektorale, ndërkohë që kërkohet të zbatohet sa më patë marrëveshja e 5 Qershorit. Ndërkohë që lidhur me takimin nuk ka asnjë reagim nga vetë zyra e shtypit në kryeministri.

“Ambasadorja Kim dhe ambasadori Soreca u takuan me KM sot për pak më shumë se 1 orë. Ambasadoja Kim e falenderoi KM për udhëheqësinë e tij në sigurimin e miratimit të marrëveshjes së 5 qershorit dhe mirëpriti vazhdimin e diskutimeve të ndërsjella në Këshillin Politik në lidhje me masa shtesë. Siç kemi thënë publikisht, Ambasadorja theksoi rëndësinë që të gjitha palët të marrin pjesë në mirëbesim, në menyre gjithëpërfshirese dhe transparente”, thonë burimet nga ambasada e SHBA-ve.

“Ambasadori u takua me Kryeministrin së bashku me Ambsadoren Kim për një orë këtë mëngjes. Ai falenderoi Kryeministrin për angazhimin e tij në miratimin e marrëveshjes së 5 Qershorit dhe e ftoi atë që të punojë me shpejtësi për zbatimin e saj.

Në të njëjtën kohë, ai mirëpriti vazhdimin e diskutimeve në Këshillin Politik në lidhje me ndryshimet shtesë, për të respektuar frymën dhe rezultatet e 5 qershorit. Gjithëpërfshirja është thelbësore kur bëhet fjalë për çështjet elektorale”, thuhet nga ana tjetër nga burimet në ambasadën e BE-së.