AKTUALITET, 27 Korrik 2020, 09:50

Zyrtari i lartë në Bundestagun gjerman: Jo ndryshime në Kushtetutë pa konsensues me opozitën jashtë Parlamentit

Zyrtari i lartë në Bundestagun gjerman: Jo ndryshime në


Christian Schmidt, një nga figurat kryesore të CDU/CSU në Bundestagun gjerman, si dhe raporter për Shqipërinë në Grupin Parlamentar CDU/CSU ka reaguar në profilin e tij në rrjetet sociale, duke theksuar se është e rëndësishme që në Shqipëri, qeveria të mos bëjë veprime të njëanshme me ndryshimin e kushtetutës dhe heqjen e të drejtës për koalicione parazgjedhore.

Duke iu referuar marrëveshjes së arritur më 5 qershor, mes partive politike, ish-ministri në qeverinë e kancelares Merkel, e konsideron këtë pakt një sukses të madh që forcon demokracinë në Shqipëri.

Në postimin e tij në rrjetet sociale, Schmidt shkruan ndër të tjera se “Partia Socialiste po tenton ndryshime jashtë marrëveshjes: heqjen nga Kushtetuta të së drejtës për koalicione parazgjedhore.

“Për të favorizuar vetveten?”.

“Me shqetësim të madh po shoh se Partia Socialiste po tenton ndryshime të tjera jashtë marrëveshjes: konkretisht po tenton heqjen nga Kushtetuta të së drejtës për koalicione parazgjedhore. Për të favorizuar vetveten?

Bëni kujdes! Ndryshime të tjera bëhen vetëm, nëse partitë e rëndësishme brenda dhe jashtë parlamentit bien dakord për to.

Jam i bindur se kryeministri Rama, i cili është edhe kryetar i radhës së OSBE-së, do ta mbrojë frymën e marrëveshjes së 5 qershorit mes të gjitha partive. Besimi reciprok është i domosdoshëm!”- shkruan raporteri i CDU/CSU për Shqipërinë në Bundestag.

Më herët edhe Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi dhe SHBA i kërkuan qeverisë të mos tentojë ndryshimet kushtetuese, pa gjithëpërfshirjen dhe konsensusin e opozitës.