AKTUALITET, 27 Korrik 2020, 09:26

Kuvendi tri ditë në seanca maratonë, deputetët diskutojnë sot për shkeljet e Metës

Kuvendi tri ditë në seanca maratonë, deputetët


Kuvendi nis javën e tri seancave maratonë, ku pritet të shqyrtohen dhe të përmbyllen disa nga çështjet më kryesore të këtij sesioni.

Seanca e sotme do të nisë në orën 10:00, ku në rend dite është vetëm një pikë “e nxehtë”.

Bëhet fjalë për raportin përfundimtar të Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

“Raporti përfundimtar i komisionit hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore si dhe për të kontrolluar e ligjshmërinë e veprimeve dhe procedurës të ndjekur nga Presidenti i Republikës në kuadër të emërimit të gjyqtarëve kushtetues”.

(Ligji nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, neni 25 Rregullore Kuvendi, votim i hapur, shumicë e thjeshtë votash për miratim”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Ndërkohë, Kuvendi do të mblidhet edhe ditën e nesërme, si dhe të enjten, në dy seanca maratonë, ku pritet të përmbyllet Reforma Zgjedhore me dakordësinë mes palëve, si dhe të votohen ndryshimet kushtetuese dhe listat e hapura, propozime këto të opozitës parlamentare dhe të mbështetura nga kryeministri Edi Rama.