TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Tashmë që Afganistani është nën kontrollin e talebanëve, gjithçka ka ndryshuar.
Turma të shumta njerëzish janë drejtuar në aeroportin e Kabulit, me shpresën se mund të largohen drejt vendeve të sigurta. Ndërkohë që rrugët e qytetit janë thuajse të zbrazura.
Me mbërritjen e talebanëve, është vënë re menjëherë një "zhdukje" e grave dhe vajzave nga rrugët. Shumë prej tyre nuk po qarkullojnë jashtë banesave, ndërkohë që edhe veshjet e tyre kanë ndryshuar menjëherë, përfshirë edhe ato grave të huaja dhe përfaqësueseve të shtypit ndërkombëtar.
Nën regjimin e talebanëve, gratë kanë qenë veçanërisht të shtypura, diskriminuara dhe të dhunuara. Ato nuk lejoheshin të merrnin edukim në shkollë pas moshën tetë vjeçare, duhet të vishnin me detyrim mbulesën e njohur si "burka", duhet të shoqëroheshin nga një burrë i familjes kur ecnin në rrugë dhe duhet të qëndronin kryesisht në shtëpi. Gratë shpesh martoheshin me detyrim, përfshirë edhe vajzat në moshë minorene.
Një incident ka ndodhur me korespodenten e CNN, Clarissa Ward, e cila ka raportuar prej vitesh në Afganistan. "Sapo më thanë të qëndroj atje mënjanë, sepse jam grua", deklaron Ward gjatë raportimit pranë një grupi talebanësh.
"Gratë që shfaqen në rrugë, janë të veshura në mënyrë më konservatore sesa dje, kur endeshin në rrugët e Kabulit. Unë normalisht jam veshur në një mënyrë shumë të ndryshme se herët e tjera, kur ecja në Kabul".
Afganistani ka rënë sërish në duart e talebanëve, pas tërheqjes së trupave amerikane. Presidenti afgan është larguar menjëherë nga vendi. Për momentin në Afganistan mbizotëron kaosi dhe frika. Talebanët kanë nisur të shkojnë derë më derë për të gjetur njerëzit në listën e tyre të armiqëve.
Kujtojmë se Shqipëria dhe Kosova, janë dy nga vendet që do të strehojnë një pjesë të afganëve që po largohen masivisht nga vendi. Mësohet se ata do të qëndrojnë përkohësisht në vendin tonë dhe në Kosovë, deri në momentin kur do të mund të largohen drejt SHBA-ve. /TPZ.al/