AKTUALITET, 2 September 2026, 13:29

Berat/ Aksident i frikshëm te “Ura e Varur”, furgoni përplas çiftin e të moshuarve në trotuar! Shoferi: U bllokuan timoni e frenat

Një aksident i rëndë ka ndodhur sot (2 shtator) në qendër të qytetit të Beratit, në vendin e quajtur “Ura e Varur”.

Një mjet, tip furgon “Benz”, me targa AB233KG, që drejtohej nga një i ri vlonjat, ka humbur kontrollin dhe ka përplasur mbi trotuar çiftin e bashkëshortëve të moshuar.

Të plagosur mbetën Nikolla dhe Maria Manestra, përkatësisht 82 dhe 80-vjeç, banues në lagjen “Goricë” në Berat.

Të moshuarit ndodheshin mbi trotuar, në pritje të hapjes së semaforit, për të kaluar në anën tjetër të rrugës.

Në vendngjarje ka shkuar ambulanca, e cila ka transportuar çiftin e të moshuarve në Spitalin Rajonal Berat, ku ndodhen në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Drejtuesi i mjetit, shtetasi Arben Brahimaj, 60-vjeç, banues në Vlorë, ka deklaruar në vendngjarje se i është bllokuar timoni dhe frenat.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje, për të kryer veprimet e para hetimor, ndërkohë që drejtuesi i mjetit është shoqëruar në polici.