AKTUALITET, 24 Shtator 2020, 14:24

“Ka mbetur pak kohë për të reflektuar”, Meta: Nëse shkelet marrëveshja e 5 qershorit ka vetëm një fajtor

“Ka mbetur pak kohë për të reflektuar”, Meta:


Presidenti i Republikës Ilir Meta deklaroi sot, se ka mbetur edhe pak kohë për të reflektuar për respektimin e marrëveshjes së 5 qershorit dhe që Shqipëria të kthehet në kursin e duhur për të përmbushur kushtet për hapjen e bisedimeve për pranimin në BE.

Ai tha se nëse nuk respektohet marrëveshja ka vetëm një fajtor, duke nënkuptuar Edi Ramën, të cilin e akuzoi se vendos fatin e tij para fatit të shqiptarëve.

“…Është përmbushja e të gjithë atyre prioriteteve që kanë të bëjnë me çeljen e negociatave dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësimin dhe përmbushjen e kushteve.

Maqedonia e Veriut ka bërë një progres të jashtëzakonshëm dhe ka treguar se ka një klasë politike të përgjegjshme, që merr përgjegjësi, që realizon zgjedhje të lira e të ndershme, që respekton votën e qytetarëve dhe shpresoj që kjo të arrihet dhe në vendin tonë.

Por nga sjellja antikushtetuese që goditi marrëveshjen e 5 qershorit tregon që jemi në kurs të kundërt.

Çështja e hapjes së listave është çështje që i takon palëve. për mua si president mbetet e rëndësishme respektimi i marrëveshjes së 5 qershorit.

Unë u përpoqa të jap kontributin tim, që opozita të mos vendoste si kusht, qeverinë e përkohshme. opozita bëri lëshimin shumë të madh duke pranuar të mos vërë një kusht të tillë, duke mbyllur një marrëveshje për të ardhmen e shqiptarëve.

Unë mendoj se ka mbetur dhe pak kohë për të reflektuar dhe uroj të ketë reflektim, përndryshe kuptohet që përgjegjësia do të jetë e vetëm një fajtori.

Nuk do të ketë dy fajtorë, as 4 nëse shkelet marrëveshja, vetëm një. I cili për fatin e tij personal, vë fatin e 4 mln shqiptarëve.

Çështjet shtetërore dhe interesi kombëtar janë të paprekshëm dhe duhet të respektohen njësoj nga të gjithë. Kush mendon se fati i tij është më i rëndësishëm se e ardhmja europiane e Shqipërisë e ka shumë gabim”.