AKTUALITET, 13 Shkurt 2019, 17:30

"Ju kemi nën vëzhgim të fortë", Vasili paralajmëron policinë: Mos guxoni të provokoni!

"Ju kemi nën vëzhgim të fortë", Vasili

Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, i ftuar në studion e televizionit Fax News, ka folur rreth protestës së paralajmëruar për tu mbajtur më 16 shkurt.

Ai u shpreh se, bllokimi i rrugëve nuk përbën pengesë për protestën dhe se qytetarët shqiptarë do të jenë të gjithë në shesh për të drejtat e tyre. Vasili u shpreh se arsyet për protestë janë nga më të ndryshmet, ndërsa shtoi se qytetarët po largohen nga vendi për shkak të kësaj keqqeverisjeje.

“Jo polic, po asnjë nga këta që kanë vendosur këta në krye, nuk do të mund t’o ndalojë ata që kanë marrë vendimin për të ardhur në protestë”, – tha Vasili, ndërsa paralajmëroi policinë që të mos provokojë qytetarët.

“E kemi nën vëzhgim shumë të fortë dhe të kujdeshëm të plotë policinë për sjelljen e saj dhe të drejtuesve të saj në raport me protestën. Ai që do të prishë protestën është vetëm Edi Rama dhe policia e tij. Por i zugjeroj policisë nga studiot e Fax News-it të jenë të kujdesshëm në këtë drejtim”, theksoi Vasili.

Vasili u ndal edhe tek videoskandali i publikuar nga mediet, ku tha se protesta bëhet edhe për të kthyer policinë në shërbim të qytetarëve, e jo që të pengojë qytetarët për të denoncuar, apo protestuar.

I pyetur se “sa mundësi ka që qeveria tranzitore të jetë rezultat i kësaj proteste?”, Vasili u shpreh:

“Nuk është problemi se sa mundësi ka. Këtu bëhet fjalë për thellimin e varfërisë. Mijëra biznese të vogla janë të dëmtuara nga taksat e padrejta. Për studentët nuk ka nevojë që të flasim, sepse ajo ësthë parë. Po ashtu për policët për të cilët nuk ka shpërblim as për orët shtesë. Kemi vjedhjen haptazi me projektin e Unazës së Re. Marrim vesh se tjetër konstatojmë lidhur me vendimin e dividentit, i cili na del me fuqi prapavepruese. Qytetarët po largohen, pasi shteti po përzë me politikat e saj”.