AKTUALITET, 6 Mars 2019, 11:37

Igli Tare si Saimir Pirgu: Opozita të kthehet në parlament, duhet të kujdesemi për imazhin e vendit

Igli Tare si Saimir Pirgu: Opozita të kthehet në parlament, duhet

Në emisionin "Porta a Porta" në "Rai 1", ka qenë i ftuar kryeministri Edi Rama. Siç deklaroi ai ditën e djeshme, qëllimi i kësaj interviste, ishte sqarimi i popullit italian, për situatën politike në Shqipëri.

Në panel ka qenë i ftuar edhe drejtori sportiv i ekipit të Lazio-s, Igli Tare, i cili bëri edhe komente politike, duke shigjetuar opozitën dhe vendimin për të dalë nga parlamenti. Tare tha se ky veprim nuk e  ndihmon Shqipërinë dhe cënon imazhin e saj.

"Mendoj se opozita duhet të kthehet në parlament për t‘i zgjidhur problemet. Jemi një popull i vogël, një popull pro europian por duhet të jemi të shumë të kujdesshëm për imazhin e vendit tonë. Problemet që kemi duhet që t‘i zgjidhim vetë. Ne bëjmë detyrën tonë në perëndim, por duhet që të gjithë të angazhohemi për të përmisuar imazhin e Shqipërisë nëpër Botë".

Ky reagim, ngjason me atë të tenorit Saimir Pirgu, i cili u shpreh se do t'i duhen 200 koncerte për të hequr nga mendja pamjet e një gome që digjet në Shqipëri.

Ajo që vihet re në të dyja deklaratat, është një shqetësim, se imazhi i Shqipërisë po cënohet, pra se fasada po bie dhe se bota nuk ka nevojë të dijë këto probleme që kemi. Ndërkohë që për qytetarët që jetojnë në Shqipëri, e vetmja gjë me të cilën janë ngopur dhe nuk kanë më nevojë, është pikërisht fasada dhe propaganda.

/TPZ.al/