TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Prej tre ditësh fermerët grekë janë hedhur në protesta të dhunshme duke bllokuar autostradat e vendit për vonesat me dhënien e subvencioneve të BE-së pas një skandali korrupsioni. Pezullimi i subvencioneve erdhi pasi disa persona u arrestuan javën e kaluar në një rast mashtrimi që zbuloi se miliona euro u paguan në subvencione të paligjshme nga OPEKEPE, (Organizata përgjegjëse për shpërndarjen e fondeve bujqësore të BE-së), një skandal që ka provokuar fermerët dhe ka sjellë shqyrtim shtesë mbi pagesat e subvencioneve në vend. Gjatë hetimit paraprak, rreth 324 persona u gjetën të ishin përfitues të subvencioneve me vlerë 19.6 milionë euro, sipas Zyrës së Prokurorit Publik Evropian (EPPO).
Bllokada e rrugëve, që ka mërzitur vetëm pak grekë, paska prishur planet e disa qindra shqiptarëve të tërbuar, të cilët, duke përfituar nga 5 ditët e pushimit që kishte administrata në Shqipëri, ia mbathën nëpër botë për të festuar festat e nëntorit. Këta afendikoj, pasi mbetën të bllokuar nëpër autostrada tani po shajnë mbarë e prapë fermerët e Greqisë, që ua paskan prishur fundjavën e gjatë festive.
Sa për statistikë Greqia është prodhuesi më i madh në BE i pambukut, fistikëve, ullinjve, fiqve, shalqinit, bajameve etj dhe kontribuon në mbi 12 për qind të forcës punëtore në vend, ose mbi 620 mijë fermerë që menaxhojnë ferma të vogla private.
Por është një treg i madh dhe qeveria greke deklaron se deri në fund të vitit t’u japë fermerëve 3.7 miliardë euro subvencione. Por fermerët grekë presin që të marrin edhe subvencionet e BE-së që ishin premtuar deri në qershor 2025. Ndaj dhe u ngritën dhe po bllokojnë vendin që zëri i tyre të dëgjohet deri në Bruksel, sepse pa punën e tyre, do të ketë më pak prodhime greke dhe më të shtrenjta në zonën e BE-së.
Kurse në Shqipërinë e afendikojve të zemëruar pse u ishin prishur kthimet pas ditëve festive, kjo puna e subvencioneve është tallje mendereje.
Zyra Europiane Kundër Mashtrimit, OLAF, zbuloi se në 2023 të paktën 33 milionë euro të fondeve IPARD ishin keqpërdorur në Shqipëri nga hetimi mbi shpenzimet e ndihmës financiare të Bashkimit Europiaan për fermerët shqiptarë. Pra gati dyfishi i fondeve që mendohet se janë abuzuar në Greqi.
BE ka dy vite që i ka bllokuar subvencionet, por askush nuk është marrë nën përgjegjësi, ndërsa ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në atë kohë, prej një viti është graduar këshilltare e kryeministrit, pa i hyrë gjemb në këmbë, edhe pse ndërsa Komisioni Evropian ka vendosur të ngrijë përkohësisht 112 milionë euro financime për Shqipërinë, deri në ndërmarrjen e masave konkrete dhe reformave të besueshme nga qeveria shqiptare.
Drejtuesit e Ministrisë së Bujqësisë i ndanë fondet e dedikuara për fermerët e këputur të Shqipërisë te miqtë e tyre nga firmat e lidhura me zyrtarët, te biznesmenët e tyre, deri edhe rreth 200 mijë euro për një serë te inceneratori imagjinar i Sharrës.
Të ashtuquajturit fermerët shqiptarë nuk janë ndjerë, përveç disa protestave të vogla nëpër kryqëzime rrugësh ku derdhën qumështin se qeveria u jep vetëm 10 lekë për litër dhe vendin e ka mbytur qumështi i dyshimtë sllav, ndërsa numri i bagëtive po bie ndjeshëm muaj pas muaji.
Ndaj nuk duhet të habitemi, se sot, ashtu si 35 vitet e shkuara, Shqipëria po punon për ekonominë e Greqisë, jo vetëm pse fermerët tanë të ngratë shkojnë ende të punojnë me mëditje atje për një grusht evrosh, por pse në çdo tryezë familjare apo biznesi shumica e prodhimeve vjen nga Greqia dhe atje shkojnë edhe paratë tona, jo për ekonominë kombëtare.
Përmbytja e fundit që ua kalbi edhe ato pak prodhime, ishte goditja fatale për bujqit e Shqipërisë, që pas çdo fatkeqësie rikthehen kokëulur te afenidikoi grek për punën me mëditje, te ata njerëz të lirë dhe krenarë për punën dhe djersën e tyre që sot e tre ditë kanë bllokuar rrugët e Greqisë, në kërkim të të drejtës së tyre. Sepse janë skllevër të afendikojve të Shqipërisë, që këtë fundjavë u tërbuan pse mbetën rrugëve të bllokuara nga fermerët grekë.