IDE, 28 Nëntor 2025, 17:10

Berisha ka nevojë për “kafenë” e Salianjit & CO

Berisha ka nevojë për “kafenë” e Salianjit & CO

Sali Berisha u përpoq sot ta injorojë përmasën dhe efektin publik të një takimi në kafene të ish-deputetit Ervin Salianji dhe kreut të këshilltarëve demokratë në këshillin bashkiak të Tiranës, Ilir Alimehmeti, me disa prej më të votuarve në primare dhe në listën e hapur të PD-së në zgjedhjet e 11 majit, duke deklaruar: “Normalisht takimet në kafe nuk meritojnë komente, por PD është partia më e hapur dhe demokratike e këtij vendi për çdo lloj mendimi, ideje dhe kaq mund të them”.

Rrena me bisht, do të thoshte Preç Zogaj, bashkëthemelues i PD-së, gati 35 vite më parë dhe njëri prej mocionistëve që Berisha me të tijtë i përzuri që në fillimet e kësaj partie të madhe dhe që për gati një gysmë jete njeriu ka vazhduar të flakë njerëzit e saj, pse nuk kanë menduar si lidershipi, për t’u katandisur sot në një parti rrogëtarësh selie, parlamenti dhe 3 minibashkive, pa takat, ide dhe mundësi për të kryer rotacionin e munguar.

Teoritë konspiracioniste si rëndom thonë që kjo qenka sponsorizuar nga qeveria për të shfokusuar vëmendjen nga korrupsioni qeveritar dhe goditjet e SPAK dhe si zakonsisht kjo pistë del nga brenda PD-së për të ruajtur status-quon-ë, ndërsa një teori tjetër thotë se takime të tilla janë të ideuara nga Berisha apo njerëzit prej tij për ta shprishur këtë gjendje vegjetative. Nëse po, ky është një lajm i mirë dhe që i duhet PD-së dhe vetë Berishës.

Njerëz pranë tij dhe që i qëndruan pranë në ditët e zeza kur selia u shndërrua në fushëbetejë mes demokratëve të armatosur me shkopa, cfurqe dhe bombola gazi, thonë me trishtim se Berisha ndodhet në ditën më të errët të historisë politike, më keq se në 19 maj 2021 kur u shpall non grata, më keq se kur i komanduari prej tij në politikë dhe ekzekutiv, Lulzim Basha i mori erzin duke e shpallur “non grata” edhe në parti, kur i mori gjysmën e deputetëve, kontrollin e selisë dhe vulën për ca kohë dhe më keq se kur u nis të merrte kryeministrinë bashkë me La Civitën dhe përfundoi në “ankeksin” e Kuvendit të Shqipërisë, me një grusht deputetësh, shumica pa vlera, kontribute dhe ide për të bërë opozitën.

Ky është çarku ku ka mbetur partia e 81-vjeçarit që sfidon moshën biologjike, por s’e ka në dorë të ndalojë vdekjen e partisë në këtë kostum gjithnjë e më të ngushtë që ai e riqep përherë e më ngushtë prej 35 vitesh.

Grupi i tij parlamentar është një mish mash mes ish-mbështetësve të zjarrtë të Lulzim Bashës dhe skifterëve të tij duke ndarë portofole ceremoniale në kryesi për të ruajtur balancën e brishtë mes dy rrymave që më shumë ndahen se bashkohen. Për këtë është pajtuar që në një anë të jetë non grata në SHBA, duke patur në krah Flamurin dhe Albanën dhe në anën tjetër të ketë Gaz Bardhin që takon të ngarkuarën me Punë të SHBA në Tiranë, bashkë me Agron Gjekmarkajn apo Jorida Tabakun.

Por deri këtu të çojnë rrogëtarët e selisë dhe të parlamentit. Aq pak sa protestat që premtoi se do të rrëzonin “narkosin Rama”, janë ca çereku i tubimeve që bën Arlind Qori me disa dhjetra pensionistë të lodhur para kryeministrisë.

Sot ai është i rrethuar nga një kastë drejtuese e partisë që ka tretur në 13 vite dhjamin e vënë në 8 vitet kur kishin pushtetin, por që nuk do ta humbë as statusin social dhe as atë ekonomik, pse ka mbetur në opozitë, duke u bërë lehtësisht e kapshme dhe e shantazhueshme nga shumica që ka fuqinë e parave të popullit për të blerë gjithkënd. Poshtë tyre janë të paktën 522949 demokratë që i besuan dhe votuan në zgjedhjet e fundit për të ardhur në pushtet dhe jo për të vegjetuar në opozitë, duke shpresuar se ndryshimi i pushtetit do të ishte një e ardhme më e mirë se 13 vitet e shkuara. Për ta bërë më të qartë hendekun mes tyre dy mendësive dhe pritshmërive mjafton të ilustrohet me debatin parimor mes numrit 2 të PD, Noka me anëtaren e kryesisë së degës në Kamëz dhe debatin shkurajues për çdo demokrat.

Sali Berisha, për të ardhmen e PD-së, që ka qenë dhe mbetet ndërmarrja e tij private, si për çdo lider të çdo partie në Shqipëri, duhet të jetë thellësisht i shqetësuar për falimentimin e biznesit të tij politik, sepse atje në atë kafene, ishin mbledhur më shumë vota demokratësh se të gjithë deputetët e dalë pa garë dhe merita nga qenia në listën e mbyllur të partisë për 11 majin. Kjo shumicë votash demokratësh është thirrje për të hapur realisht partinë, riorganizuar forumet, krijuar kushte për garë të ndershme, pa farsa zgjedhore si primaret dhe rikthimin e partisë, pas 35 vitesh krijimi, në rrënjët e pluralizmit dhe pse jo edhe të pushtetit.