IDE, 28 Tetor 2025, 10:55

Miti i prokurorit

Miti i prokurorit


Reforma në Drejtësi ka qenë një domosdoshmëri e diktuar nga nevoja e njeriut hallexhi për të marrë DREJTËSI. Kjo është arsyeja që të gjithë e përkrahën.
Në përplasjen mes një hallexhiu dhe një dallaverexhiu kishte fituar gjithmonë i dyti. Prokuroria dhe Gjykata ishin kthyer në sekserë. Mbaj mend një bisedë me një mikun tim që kishte ndikim në sistem. I thashë për një ngërç në lidhje me një pronë:
-“Zgjidhe me marrëveshje sepse do të të hedhin në gjyq”.
Ma ktheu:
-“Po ti mendon se mund të fitojnë ndonjë gjyq me mua ata”?
Po thoshte një të vërtetë.
Për ndonjë Gjyqtar thoshin se merr paratë nga të dy njerëzit në konflikt gjyqësor dhe kur shpallte njërin fitues, i kthente tjetrit paratë. Prokurorë, gjyqtarë dhe avokatë ishin njësh në kërkim të gjetjes së viktimave hallexhinj.
Kur i gjithë sistemi është i korruptuar, shpesh edhe i paaftë, është e pamundur që ndonjë element të mbetet i painfektuar. Kishte vetëm dy kategori: 1)të korruptuar dhe 2) të kujdesshëm që quheshin të ndershëm.
Ky ishte sistemi. Çedonte gjithçka.
Kur u vendos të bëhej Reforma në Drejtësi mendova se do t’i jepej peshë Gjyqtarit si njeriu kryesor i Drejtësisë. Pra mendova se do të bëhej çmos që interesat e hallexhiut, popullit, do të balancoheshin ndjeshëm në raport me të fortin, pasanikun, pushtetarin. Në dyert e Gjykatave do të bëhej Drejtësi.
Një Reformë të tillë do ta duartrokisja gjithë kohën.
Por, në vend të saj, u instalua sistemi i Prokurorit. Në shtet u fut terrori. Prokurori të bën gjëmën. Një firmë e tij dhe s'të mbron dot askush. Nëse sulmojmë Prokurorin po sulmojmë njeriun e popullit, të shpresës, Maratin. Atë që përmbush etjen popullore për gjak pushtetari dhe etjen e tij për lavdi personale.
Prokurorët u bënë idhujt e masave, të mediave, të popullit. Dumani mund të konkuronte yjet e politikës dhe showbizit.
Në fakt ishte ylli kryesor që ndriçonte në qiellin shqiptar të famës.
“A u arrestua ndonjë njeri sot” – u kthye tema e tavolinave. “Kur do të bëhet arrestimi i radhës”? “Dosja e X-it është e kopsitur, i ka ditët e numëruara”; “Prisni lajme këto dy ditë”; “Prangat po tringëllijnë për X-in”; “Arrestime spektakolare pritet në dy ditët e ardhshme”; “Stay tuned” etj etj.
Dosje sekrete të bujshme hidhen në tregun e uritur për sensacione.
I hedh prokuroria për të diskretituar të pandehurit e paarrestuar, të pushtetshëm të zënë në përgjime, biznesmenë që mund të jenë përmendur aty këtu. Të gjithë terrorizohen. Ftohen në Prokurori….
Mediat ngazëllehen, fërkojnë duart. Prokurori trim X po rrëzon sistemin, po shkon drejt Edi Ramës. Prokurorët janë Rilindësit e vërtetë të etjes për gjak, këtij virusi gjithpopullor të përjetshëm.
Nuk ka asnjë etje për Drejtësi, ka etje për burg, pranga, terror, vuajtje! Sa keq që është hequr dënimi me vdekje!!! Sa duhej në këto kohë… Ato gjyqet popullore të kohës së komunizmit nuk kanë qenë aq keq. Gëzonte populli të pështynte të akuzuarin….
Mëshira dhe dhimbja janë ndjenja armike në këtë Republikë.
Gjyqtarët janë disa zevzekë që nuk duhen fare. Çfarë duhen Gjykatësit kur kemi Prokurorët? Gjithsesi, le të jenë aty si noterë. Le të bëjën ca vite gjytarë me shpresën që të bëhën Prokurorë.
Prokurorë-çfarë fjale seksi!
Le ta ndrrojmë edhe emrin, ta quajmë Prokuratë jo Gjykatë! Gjykatë është një emër i vjetëruar, i tejkaluar nga koha.
E patë Dumanin? Sa i lodhur duket! Është mpakur nga dosjet. Si ikërrusur mu duk? Krusma e korrupsionit është e rëndë, e ka tretur… Po kur të ikë Ai çfarë do bëjmë? Një shkrimtar i njohur sapo nxjerr librin me titulLin popullor “Brenga e Prokurorit”.
Ja, me të tilla halle jeton sot Media dhe populli. Një seancë në Gjykatë e X të pandehuri ndiqet me ankthin se mos Gjyqtar-qyqari shqipton ndonëj dënim të lehtë ose, mosozot, të lirojë në sallë të pandehurin! Pastaj shpërthen deliri: “U refuzua kërkesa për liri, shpëtuam”
I kanë harruar hallet e veta. Dikur jepej padrejtësi sot nuk jepet asgjë. Drejtësia është larg, mijëra kilometra larg, ndërsa hallexhiu ecën drejt saj pa besim, në një rrugë veshtullore siç vrapon një njeri në ëndërr. Drejtësia është si horizonti, ti afrohesh ajo largohet…
“Do na duhen ca vite për të hapur seancën e parë, ndoshta tre”. Kjo çështje me ngarkesën që ka Gjykata mund të na shkojë edhe 20 vjet” – i thotë avokati.
Ndërkohë që sivëllai vet e ngushëllon duke i përmendur: “Sot do të arrestojnë Y-in, ma thanë nga brenda, është e sigurtë. Ia ka kopsitur mirë dosjen Prokurori”.
Dhe hallexhiu e harron dosjen e vet. Fundja nuk është në modë. Kush pret 20 vjet aman. Ja të shohim lajmet e drekës….