AKTUALITET, 4 October 2026, 12:06

I kërkuar nga Spanja si anëtari i një organizate kriminale që trafikonte narkotikë, arrestohet 60-vjeçari në Fier

I kërkuar nga Spanja si anëtari i një organizate kriminale

Një 60-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle është arrestuar në Bishan të Fierit. Ai dyshohet se është anëtar i një organizate kriminale që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike, ndërsa ndaj tij rëndon edhe akuza për vjedhje të energjisë elektrike.

Blutë bëjnë me dije se në pranga ra shtetasi, M. T., 60 vjeç, i cili pritet të ekstradohet drejt Spanjës.

Njoftimi i policisë:

Fier/Vijojnë kontrollet për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Gjurmimi”.

I akuzuar në Spanjë si anëtar i një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike, kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimin 60-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në vijim të kontrolleve për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, kanë lokalizuar dhe kapur, në kuadër të operacionit policor të koduar “Gjurmimi”, shtetasin M. T., 60 vjeç, banues në fshatin Bishan, Fier.

Për këtë shtetas, Gjykata e Madridit, Spanjë, ka lëshuar urdhër-arrestin, pasi dyshohet për veprat penale “Pjesëmarrje në grup kriminal me qëllim trafikimin e narkotikëve” dhe “Vjedhje e energjisë elektrike”, të parashikuara nga Kodi Penal i Spanjës.

Në vijim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi i përkohshëm i shtetasit M. T., me qëllim ekstradimin e tij drejt Spanjës.

Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, për finalizimin e procedurës së ekstradimit të këtij shtetasi drejt Spanjës.