AKTUALITET, 27 Prill 2020, 22:44

Humbi betejën me koronavirusin, kush është arkitekti i njohur?

Humbi betejën me koronavirusin, kush është arkitekti i njohur?

Ministria e Shëndetësisë njoftoi mbrëmjen e sotme se një 73- vjeçar kishte humbur jetën për shkak të koronavirusit.

Ai është arkitekti i njohur Hajdar Kovaçi nga qyteti i Durrësit.

Kovaçi qëndroi prej thuajse tri javësh i intubuar në spitalin “Shefqet Ndroqi”, por për shkak edhe të problemeve të tjera shoqëruese nuk mundi të mbijetonte.

Kovaçi ishte një personalitet i njohur në Durrës.

Për vite me radhë ka qenë në detyra të ndryshme si zv/president i Dhomës së Tregtisë, Industrisë së qytetit dhe për dy mandate, anëtar i Këshillit Bashkiak nga radhët e PD, pjesëtar i Këshillit Rregullues të Territorit.

Njoftimi i Ministrisë Shëndetësisë:

COVID-19/ Ministria e Shëndetësisë: Ndërron jetë pacienti 73-vjeçar në spitalin “Shefqet Ndroqi”

Një pacient 73-vjeçar, i konfirmuar me COVID19, i intubuar prej 24 ditësh ka ndërruar jetë në spitalin “Shefqet Ndroqi” mbrëmjen e sotme.

Pacienti 73-vjeçar me inicialet H.K., nga Durrësi ishte prej thuajse 1 muaji në gjendje të rëndë, me Insuficience respiratore akute. 73-vjeçari vuante nga pneumonia bilaterale, detres i rëndë respirator (ARDS), me sëmundje bashkëshoqëruese Talasemi Minor dhe Hipertension Arterial. Megjithë pëpjekjet e jashtëzakonshme të stafit mjekësor në terapinë intensive, 73-vjeçari nuk arriti të mbijetojë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjeve të të ndjerit dhe apelon qytetarët t’i respektojnë me shumë rigorozitet masat e distancimit fizik, pasi janë përcaktuese për frenimin e përhapjes së COVID-19.

29 qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me COVID19, pavarësisht përpjekjeve të stafeve mjekësore të spitaleve COVID.