TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar se Bashkimi Evropian do të jetë i pranishëm në bisedimet për Ukrainën që do të zhvillohen në Abu Dhabi, pas një bisede telefonike me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Në një deklaratë pas telefonatës, Von der Leyen bëri të ditur se diskutimi u përqendrua te përpjekjet diplomatike për arritjen e paqes dhe takimet e planifikuara gjatë kësaj jave në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Diskutuam për përpjekjet e vazhdueshme për paqe dhe bisedimet që do të zhvillohen këtë javë në Abu Dhabi, ku BE-ja do të jetë e pranishme së bashku me partnerët tanë. Pres me padurim takimin me presidentin Zelensky në Dublin më vonë gjatë kësaj jave, si dhe diskutimet me liderët e tjerë për hapat e ardhshëm drejt paqes”, deklaroi ajo.
Gjatë konferencës së sotme për shtyp të Komisionit Evropian, zëdhënësja Paola Pinho theksoi se Bashkimi Evropian po punon për hartimin e një qëndrimi të përbashkët në këto bisedime, me synimin për të mbrojtur interesat e tij, pasi zhvillimet në Ukrainë ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë evropiane.
Sipas saj, një nga mesazhet kryesore që BE-ja do të përcjellë në Abu Dhabi është se diskutimet për kuadrin e sigurisë evropiane duhet të zhvillohen pas përfundimit të luftës.
Edhe pse zëdhënësja nuk bëri të ditur emrat e përfaqësuesve të BE-së në këto bisedime, sipas Euronews, delegacioni i përbashkët i Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian do të drejtohet nga Björn Seibert, shef i kabinetit të Ursula von der Leyen, dhe Anna-Maria Boura, këshilltare kryesore për politikën e jashtme e presidentit të Këshillit Evropian, António Costa.
Takime të rëndësishme në Dublin dhe Berlin
Përpjekjet diplomatike për paqe në Ukrainë do të jenë gjithashtu në qendër të diskutimeve mes liderëve evropianë më 13 nëntor në Dublin, gjatë takimit joformal të Këshillit Evropian.
Sipas zëdhënëses së Komisionit, në fokus do të jenë përpjekjet diplomatike, forcimi i mbështetjes për Ukrainën dhe çështjet që lidhen me financimin e saj. Këto tema pritet të diskutohen edhe gjatë takimit në kuadër të Forumit të Berlinit.
Ndërkohë, Ursula von der Leyen njoftoi se ka nisur një vizitë në Rumani dhe Bullgari, ku vëmendje e veçantë do t'i kushtohet situatës së sigurisë në Detin e Zi.
Ajo paralajmëroi se kërcënimet ndaj sigurisë në këtë rajon po shtohen, ndërsa sulmet po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe po shkaktojnë viktima të pafajshme.
Kreu i Komisionit Evropian theksoi se liria e lundrimit në Detin e Zi duhet të rikthehet dhe të garantohet, ndërsa rikonfirmoi mbështetjen për thirrjen e Zelenskyt për një armëpushim që do të përfshijë edhe infrastrukturën energjetike dhe atë ushqimore.
BE: Nuk do ta lejojmë Rusinë ta gjunjëzojë Ukrainën me të ftohtin
Nga ana tjetër, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Paola Pinho, e cilësoi dramatike situatën humanitare në Ukrainë, duke akuzuar Rusinë se po godet qëllimisht infrastrukturën nga e cila varet vendi për të përballuar muajt e dimrit.
“Ne nuk do ta lejojmë Rusinë ta gjunjëzojë Ukrainën përmes të ftohtit”, deklaroi Pinho.
Ajo shtoi se Bashkimi Evropian ka mobilizuar mbështetjen e nevojshme për të garantuar vazhdimësinë e shërbimeve jetike për popullsinë, përfshirë furnizimin me energji elektrike, ngrohje dhe ujë.
Pjesëmarrja e BE-së në bisedimet e Abu Dhabit vjen në një moment të rëndësishëm për përpjekjet diplomatike për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, ndërsa Brukseli synon që interesat e sigurisë evropiane të jenë pjesë e çdo diskutimi për paqen.