BOTA, 10 November 2026, 10:05

VIDEO/ Nisin bisedimet trepalëshe midis Ukrainës, Rusisë e SHBA, në Abu Dhabi. Në tryezë, garancitë e sigurisë dhe territoret. SHBA: Duam paqe

VIDEO/ Nisin bisedimet trepalëshe midis Ukrainës, Rusisë e SHBA,

Bisedimet trepalëshe midis Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së për t’i dhënë fund luftës filluan të martën në Abu Dhabi.

Këto janë bisedimet e para të drejtpërdrejta midis zyrtarëve rusë dhe ukrainas që nga shkurti, me Uashingtonin që përpiqet t’u japë një shtysë të re përpjekjeve për të arritur një marrëveshje paqeje.

Negociatat dy-ditore pritet të përqendrohen në garancitë e sigurisë, uljen e tensioneve dhe kushtet e një marrëveshjeje të mundshme paqeje.

Delegacioni rus kryesohet nga Vladimir Medinsky, ndërsa pala ukrainase përfaqësohet nga Rustem Umerov. Pala amerikane përfaqësohet nga Steve Witkoff dhe Jared Kushner.

Bisedimet po zhvillohen pas deklaratave të fundit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se një marrëveshje më e gjerë për t’i dhënë fund luftës është e mundur, e cila mund të përfshijë edhe çështjet e sigurisë evropiane.

Pavarësisht përpjekjes së re diplomatike, mosmarrëveshje të rëndësishme ende ndajnë Moskën dhe Kievin mbi kushtet e një marrëveshjeje të mundshme.

SHBA: Po punojmë fort për të gjetur një zgjidhje përmes negociatave

Një raund i ri bisedimesh paqeje mes SHBA-ve, Ukrainës dhe Rusisë pritet të nisë sot në Abu Dhabi, ndërsa administrata Trump po rifillon përpjekjet për t'i dhënë fund konfliktit gati pesëvjeçar, edhe pas njoftimit të saj për lëshime të konsiderueshme ndaj Moskës.

Rusia e ka bërë të qartë se dëshiron që negociatat, të parat e këtij lloji që nga shkurti, të jenë trepalëshe, megjithëse këshilltarë të sigurisë kombëtare nga disa vende evropiane, si dhe zyrtarë të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, pritet të jenë gjithashtu në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe për takime të veçanta.

 “Po punojmë me përkushtim për të gjetur një zgjidhje përmes negociatave, e cila mund të sigurojë një paqe të qëndrueshme dhe të krijojë kushtet për një Ukrainë sovrane, të sigurt dhe të begatë”, deklaroi të hënën Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump dhe negociatori i SHBA-ve.

Zyrtarët amerikanë theksuan të hënën të njëjtin qëndrim, duke deklaruar se bisedimet e ardhshme përbëjnë një pikënisje të re për përcaktimin e mënyrës se si mund t'i jepet fund luftës.

Megjithatë, shumë vende, veçanërisht në Evropë, kanë shprehur dyshime mbi qëllimet e Moskës. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, deklaroi të hënën se shihte pak shenja që Rusia ishte e gatshme të negocionte me mirëbesim.

Kush po i udhëheq negociatat?

SHBA do të përfaqësohet nga Jared Kushner dhe i dërguari i saj për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.

Ndërkohë, Moska po sjell zyrtarë të lartë ushtarakë dhe diplomatikë, përfshirë zëvendësministrin e Jashtëm, Sergei Ryabkov, i cili ndihmoi në hartimin e kërkesave të gjera të Rusisë ndaj NATO-s për çështjet e sigurisë, pak kohë përpara pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022.

 
Përfshirja e tij ngre mundësinë që Kremlini synon t'i zgjerojë negociatat përtej çështjes së Ukrainës, duke përfshirë edhe arkitekturën më të gjerë të sigurisë në Evropë. Kjo vjen veçanërisht pasi presidenti amerikan Donald Trump wshtw shprehur se një marrëveshje përfundimtare mund të shtrihet përtej kufijve të Ukrainës.

Kievi ruan kryesisht të njëjtin ekip që mori pjesë në raundet e mëparshme të negociatave. Delegacioni do të drejtohet sërish nga kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme, Rustem Umerov, i cili ka luajtur një rol qendror në negociatat e mëparshme me Moskën.

Atij do t'i bashkohen Kyrylo Budanov, shefi i kabinetit të presidentit Volodymyr Zelenskyy; Davyd Arakhamia, kreu i fraksionit parlamentar të partisë në pushtet të presidentit, “Shërbëtori i Popullit”; si dhe Serhii Kyslytsia, zëvendësshefi i parë i kabinetit presidencial.

Zyrtarët amerikanë deklaruan se dita e parë e bisedimeve do të përqendrohet te garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe riformësimi i mundshëm i arkitekturës së sigurisë në Evropë.

Ndërsa dita e dytë do t'i kushtohet çështjeve territoriale, përcaktimit të kufijve dhe vijave ndarëse, si dhe çështjeve të tjera që lidhen me negociatat.

Sa i përket çështjes më të vështirë për Ukrainën, fatit të territoreve të pushtuara nga Rusia, të dyja palët kanë treguar “fleksibilitet” në diskutimet private, thanë zyrtarët.

Ata shtuan se synimi i bisedimeve është ruajtja e ritmit të përparimit të arritur gjatë javëve të fundit, dhe jo arritja e një marrëveshjeje përfundimtare për armëpushim.