AKTUALITET, 16 September 2026, 20:31

Hapet thirrja për punësimin e studentëve ekselentë në administratë, 210 vende të lira në 91 institucione publike

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, njoftoi sot hapjen e thirrjes për punësimin e studentëve ekselentë në administratën publike.

Në kuadër të kësaj thirrjeje, Pirdeni bëri të ditur se janë shpallur 210 vende të lira pune në 91 institucione publike.

“210 pozicione pune në 91 institucione publike. Hapim sot aplikimet për programin e ekselencës 2026. Për të diplomuarit me rezultatet më të larta, ata që kanë shumë rrugë përpara, por që zgjedhin rrugën ku mund të lënë gjurmë. Nëse ke mesataren, ke energjinë, ke ide, sot ke dhe mundësinë”, u shpreh Pirdeni.

Ministrja theksoi se të interesuarit mund të njihen me kriteret dhe të aplikojnë përmes faqes zyrtare të Departamentit të Administratës Publike, deri më 1 tetor 2026.

“Kjo nuk është thjesht një thirrje për punë, është një mundësi për të ndërtuar karrierën tënde duke ndërtuar Shqipërinë evropiane”, tha Pirdeni, ndërsa u bëri thirrje të interesuarve të aplikojnë përmes faqes zyrtare të DAP.