AKTUALITET, 9 Shtator 2017, 19:25

Gramoz Ruçi zgjidhet Kryetar i Kuvendit, mes protestave të ish të përndjekurve politik

Siç ishte paralajmëruar, Gramoz Ruçi është zgjedhur Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë.

Kandidatura e zotit Ruçi shkaktoi reagime të forta nga ish të përndjekurit politik, të cilët janë kundër kësaj kandidature për shkak të funksioneve që zoti Ruçi ka mbajtur në regjimin komunist, konkretisht atë të Sekretarit të Parë të Partisë së Punës në Tepelenë dhe Ministrit të Brendshëm në vtin 1990. Partia Demokratike bojkotoi komisionin e zgjedhjeve duke mos paraqitur asnjë emër nga rradhët e saj për të numëruar votat. Gjatë votimit të zotit Ruçi, pati protesta jashtë Kuvendit nga ish të përndjekurit dhe qytetarë që kundërshtojnë këtë zgjedhje.

Kush është Gramoz Ruçi? 

Gramoz Ruçi lindi më 6 dhjetor 1951 në Salari, një rrethinë e Tepelenës, në jug të Shqipërisë. Studioi kimi, dhe filloi punë si mësues bio-kimie në Progonat. Ruçi e filloi karrierën e tij politike në radhët e regjimit komunist. Ai u emërua Sekretar i parë i Partisë së Punës i rrethit të Tepelenës në vitin 1988, dhe në vitin 1990 ai u emërua Ministër i Brendshëm. Nga viti 1992 deri në vitin 1996 ai ishte Sekretar i Përgjithshëm i PS.

Në garën e vitit 2001, ai tradhëtoi ish miqtë e tij për të mbështetur Ilir Metën. Një vit më pas, ai e la në baltë këtë të fundit për t'u bërë paterica e Nanos. Kur edhe Nano ra, ai bëri sakrificën e fundit për Edi Ramën. Mori përsipër platformën "Rama" në kongres (2005) vetëm për t'i hapur rrugë  zgjedhjes së Ramës në krye të PS. Sot, Ruçi është ndër figurat e fundit që mbeten nga Partia Socialiste klasike, dhe posti i Kryetarit të Kuvendit, duket një shpërblim i merituar për vitet e tëra që i është dashur të shërbejë për interesat e kryetarëve të njëpasnjëshëm të PS-ë.

Protesta e ish të përndjekurve gjatë kohës që votohej kandidatura e Ruçit