TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Persona të maskuar dhe të armatosur grabitën dje një shumë parash brenda rrethimit të aeroportit të Rinasit, teksa paratë po transportoheshin në avion.
Si rrodhën ngjarjet?
Avioni i linjës Austrian Airlines do të fluturonte dje drejt Vjenës në orën 15:05.
Avioni ndodhej në pistën e fluturimit, pasagjerët ishin futur brenda, dhe punonjësit e ngarkim-shkarkimit po fusnin bagazhet në avion. Ngjitur me avioni ishte makina e transportit të thasëve me para të katër bankave të nivelit të dytë që do të transportoheshin për në Vjenë. Paratë u transportuan deri në aeroport nga kompania e sigurisë fizike “Nazeri 2000”.
Në ketë kohë, kur punonjësit po transportonin nga makina brenda avionit paratë, një furgon i bardhë me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” hyri me shpejtësi në pistë dhe ndaloi afër avionit.
Nga furgoni dolën katër grabitës të maskuar dhe të armatosur. Ata kërcënuan me armë punonjësit e ngarkim-shkarkimit.
Siç duket dhe në foto, grabitësit ishin maskuar për të fshehur identitetin dhe mbanin jelek anti-plumb.
Pasi kanë marrë thasët me para nga barku i avionit dhe nga makina transportuese, grabitësit kanë ecur me furgon përgjatë gjithë pistës pa u penguar nga askush dhe janë larguar nga porta e zjarrëfikëses në pistë në drejtimin Rinas- Fushë Krujë. Pasi grabitësit dolën nga rrethimi i aeroportit, u ndeshën me policinë.
Pasi kanë ecur rreth 800 metra në rrugë dytësore, grabitësit kanë vendosur të ndërrojnë makinën.
Në momentin kur grabitësit po linin furgonin e bardhe me shkrimin “Hetimi Tatimor”, mes grabitësve dhe policisë pati shkëmbim zjarri, gjatë së cilit u vra një prej grabitësve dhe u plagos një tjetër.
Grabitësit e hodhën jashtë furgonit trupin e të vrarit, i vunë flakën furgonit të bardhë dhe u larguan me një furgon tjetër drejt Fushë-Krujës. Policia ishte e papajisur me mjetet e duhura për të ndaluar grabitësit. Ata nuk kishin as veshje antiplumb, dhe as armatimin e nevojshem për këto raste.
Një orë më pas, në një zonë mes Kamzës dhe Bathores, u gjet i djegur furgoni i dytë i grabitësve. Brenda tij u gjetën armë të llojeve të ndryshme.
Që prej ditës së djeshme, Forcat Speciale, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, si dhe një helikopter u vunë në ndjekje të grabitësve.
Në mbrëmje mediat bënë publike se një tjetër prej të grabitësve, i plagosur, është arrestuar. Identiteti i tij nuk është bërë ende publik.
Mëngjesin e sotëm, në media është bërë publik lajmi se grabitësi i vrarë është identifikuar si Admir Murataj, i arratisur nga burgu grek i Trikallës në vitin 2013.
Çfarë nuk dihet ende?
Policia deri më sot nuk ka bërë asnjë njoftim zyrtar për ngjarjen. Deri më tani nuk dihet se sa është shuma e parave të grabitura dhe cilës bankë i përkisnin ato.
Në rast se paratë i përkisnin më shumë se një banke të nivelit të dytë, a është bërë transporti i tyre vetëm nga një kompani e sigurimit fizik apo nga disa. Nëse është bërë nga disa, cilat janë këto kompani?
Nuk dihet ende se në cilin moment ka rënë alarmi i sigurisë se brenda rrethimit të sigurisë së Rinasit dhe në pistën e fluturimit është futur një automjet i paautorizuar.
Po ashtu nuk dihet përse kompania e sigurisë në Aeroportin e Rinasit, ICTS Albania, përgjegjëse për sigurinë në pistë, nuk ka marrë masa për parandalimin e ngjarjeve të tilla, marrë shkas nga grabitjet e mëparshme në Rinas.
Përse drejtoria përkatëse në aeroportin e Rinasit nuk ka bërë kontrollin e elementëve të sigurisë që ka marrë përsipër sipas kontratës, firma nënkontraktore ICST Albania.
Rastet e mëparshme
Në 2015, katër persona të armatosur dhe të veshur si policë ndaluan automjetin e blinduar i cili po transportonte parate e bankës Credins për në Aeroportin e Rinasit. Ata qëlluan me armë në drejtim të mjetit, më pas u afruan dhe thyen me levë xhamin e automjetit të kompanisë së sigurimit “Rogat Security”.
30 qershor 2016, brenda në aeroportin e Rinasit u vodhën 3 milionë euro. Autorët e ngjarjes ende nuk janë identifikuar. Ndërkohë pesë punonjës të kompanisë ICTS, përgjegjëse për sigurinë e Aeroportit u arrestuan. Kompania e sigurimit që transportonte paratë ishte sërish “Nazeri 2000”.
9 shkurt 2017, pesë persona të maskuar dhe nën kërcënimin e armëve grabitën 3.2 milionë dollarë nga makinat e policisë private “Jaguar” teksa paratë ishin duke u transportuar drejt Rinasit.
exit.al