AKTUALITET, 24 Prill 2019, 23:50

Gol dhe asist i Rashicës në 67 sekonda, por një penallti e dyshimtë çon Bajernin në finale

Gol dhe asist i Rashicës në 67 sekonda, por një penallti e

Milot Rashica ka qenë i jashtëzakonshëm përballë Bajern Mynih, por ka parë se si ëndrra e tij për të çuar në finalen e Kupës Verder Bremenin është shuar nga një penallti shumë e diskutueshme e dhënë në favor të bavarezëve.

Dukej sikur Bajern do të dominonte me qetësi ndeshjen, pasi kishte shënuar me Levandovskin dhe Myler duke çuar shifrat në 2-0, Por në minutën e 74-t u “ndez” futbollisti i përfaqësues së Kosovës, i cili arriti të jepte një asist për Osako, i cili dërgoi topin në rrjetë. Vetëm një minutë më vonë, mesfushori mori topin dhe dribloi tre mbrojtës para se të barazonte shifrat me një diagonale të pakapshme.

Ndeshja u hap plotësisht, por në minutën e 80 erdhi episodi që vendosi duelin, kur Gebre Selasi u përplas me Koman në zonë. Për gjyqtarin ishte penallti të cilën Levandovski e ktheu në gol dhe siguroi fitoren 3-2 të skuadrës së tij që kaloi në finalen e Kupës.