TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Gjykata e Krujës ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar ndaj Rexhep Rrajës, për çështjen “Xhisiela”.
Çështja do të gjykohet me procedurë të shkurtuar dhe me shumë gjasë, nëse do të shpallet fajtor, djali i deputetit të PS-së në Krujë, Rrahman Rraja, do të përfitojë ulje dënimi me 1/3.
Seanca e radhës është caktuar me 4 dhjetor. Në seancën e vlerësimit të kërkesës për gjykim të shkurtuar ishte e pranishme dhe 25- vjeçarja, e cila në këtë proces ka statusin e së dëmtuarës.
Mësohet se ajo ka deklaruar para gjyqtares Engjëllushe Tahiri se ka gënjyer për të gjithë kallëzimin e saj. Edhe me herët, para Policisë e gjykatave ku ka kaluar historia e tyre, vajza nga Fushë-Kruja ka deklaruar se gjithçka e kishte bërë për xhelozi, por që nuk ishte dhunuar. Në këtë linjë qëndroi edhe avokati i 24-vjeçarit të akuzuar.
Avokati mbrojtës i Rrajës ka thënë se denoncimi nga Xhisiela Maloku është bërë vetëm për motive xhelozie. Rexhep Rraja u arrestua në 30 shtator, pasi Gjykata e Krujës caktoi ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg” në mungesë nën akuzën e përndjekjes, si finalizim i një dosjeje që kishte qenë në duart e Prokurorisë prej disa muajsh.
Çështja mori përmasa të tjera kur ish-oficeri i Policisë, Emiljano Nuhu, denoncoi në media kërcënimet, sipas tij, nga disa eksponentë të PS-së për të mbyllur denoncimin e Xhisiela Malokut. Debatet dhe akuzat për këtë çështje përfshinë edhe politikën. Për këto akuza, Prokuroria e Tiranës ka nisur një procedim të veçantë ndërsa ish-oficeri i Policisë Gjyqësore në Fushë-Krujë, Emiljano Nuhu, pasi u dërgoi një letër autoriteteve më të larta në vend duke denoncuar rastin, kërkoi azil në Zvicër.
Pasi në këtë çështje u përfshi edhe politika me akuza të ndërsjella, vetë Xhisiela Maloku kaloi në krahun tjetër duke ndryshuar edhe qëndrimin e saj. Ajo hoqi dorë nga roli i viktimës së dhunuar. Menjëherë në rrethana të paqarta, ajo, nga denoncimi si e dhunuar nga djali i deputetit socialist, doli në mbrojtje të tij duke i rrëzuar të gjitha deklarimet me akuzat që kishte bërë në Polici kundër Rexhep Rrajës.
Pak ditë pas arrestimit të tij, në shtëpinë e Xhisiela Malokut u hodh lëndë plasëse, ku si pasojë e shpërthimit nuk pati të lënduar dhe as dëme materiale. Ajo akuzoi opozitën për sulmin me lëndë plasëse, duke theksuar se ka organizuar sulmin me qëllim që të akuzohej indirekt deputeti socialist dhe të afërmit e tij meqë ishin në “konflikt” me 25-vjeçaren.