TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Dy palë në konflikt janë përleshur me mjete të forta menjëherë pasi Gjykata e Apelit të Vlorës ka shpallur vendimin në favor të njërës palë.
Në sherr u përfshirën 10 persona dhe nga përdorimi i levave, thikave e shkopinjve, mbetën tre të plagosur. Shkak për konfliktin është bërë një gurore në Selenicë të Vlorës, që ka çuar në mosmarrëveshje mes biznesmenit Ylli Salla dhe banorit të zonës, Vendim Durmishaj. Gurorja aktualisht është në pronësi të biznesmenit nga Elbasani, ndërsa më parë ishte në bashkëpronësi me Durmishaj.
Por, tashmë që bashkëpunimi mes tyre ka përfunduar, ata janë në konflikt për rrugën që të çon te kjo gurore. Konflikti nisi që në ambientet e Gjykatës kur po zhvillohej seanca. Në fund, kur trupa gjykuese ka dhënë vendimin, palët janë përfshirë në konfrontim verbal e duke përfunduar në përleshje të përgjakshme në ambientet e jashtme të saj. Vetë biznesmeni nga Elbasani tregon se janë sulmuar pa shkak që në momentin që ka ndaluar makinën para ambienteve të Gjykatës së Apelit në Vlorë.
“Na goditën me thika, me sëpatë, personat që ishin në gjyq, kunetërit e Bernard Çaushajt, me bandën e tij nga Selenica. Unë jam përfaqësues i një biznesi gurore, jam në proces gjyqësor, kemi dy vite që kemi pezulluar punën. Këta na kanë bllokuar rrugën nuk na lënë të kalojmë. Ngjarja ndodhi jashtë sallës, na kishin zënë pritë, na goditën me doreza, hunj”, shprehet biznesmeni Ylli Salla.
Por vetë Çaushaj mohoi një akuzë të tillë duke thënë se: “Deklarimi i Ylli Sallës nuk është aspak i vërtetë. Dy kunetërit e mi nuk kanë lidhje me ngjarjen. Ata ndodhen në Spitalin e Vlorës, ku po i qëndrojnë pranë nënës së tyre të sëmurë”, u shpreh ai.
Pak pas konfliktit, Policia shoqëroi tre persona, mes të cilëve Vendim Durmishaj bashkë me djalin e tij dhe një person tjetër. Përveç Durmishajt dhe djalit të tij, i plagosur mbeti dhe një 53-vjeçar nga Peqini, Z.H. Bashkëshortja e Vendim Durmishajt akuzon se biznesmeni u ka grabitur pronën dhe nuk ka paguar për ndërtimin e rrugës. Sipas Arlinda Durmishaj, ka qenë Ylli Salla që i ka provokuar që para nisjes së seancës gjyqësore, veprim i cili u bë shkak për përleshjen e përgjakshme.
Biznesmeni Ylli Salla dhe Vendim Durmishaj janë në konflikt prej dy vitesh, ndërsa para kësaj mes tyre kishte bashkëpunim në biznesin e gurores në Lepebnicë të Selenicës. Pas mosmarrëveshjeve, sipas tij, Vendim Durmishaj i bllokoi rrugën që të kaluar te gurorja.
Ndërsa Durmishaj ka ngritur pretendime se edhe guroren, Salla e ka përfituar me vendime të dyshimta në gjykata. Përplasja e përgjakshme para Gjykatës së Apelit në Vlorë ka shkaktuar panik te qytetarët. Kjo është ngjarja e dytë e rëndë që ndodh brenda një harku të shkurtër kohor në gjykatat e Vlorës, pasi në maj, Mikel Kasa u arratis nga ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë, pak çaste pasi gjyqtari i komunikoi dënimin me 3 vite e 4 muaj burg.
