AKTUALITET, 15 Tetor 2018, 09:02

Gjykata vendos sot fatin e Saimir Tahirit

Gjykata vendos sot fatin e Saimir Tahirit

Prokurorët do të vendosin sot fatin e dosjes “Tahiri”, ata do të zgjedhin nëse do e dërgojnë për gjykim ose të shtyjnë afatin për tre muaj.

Afati i hetimit për Tahirin përfundon në datën 17 tetor.

Hetuesit kanë administruar deri tani përgjigjet e letër-porosive të mbërritura nga Greqia Italia dhe Mal të Zi, por pritet që të vije edhe përgjigja e një letër-porosie që është dërguar së fundi në Itali. Në këto vende, Tahiri ka kryer disa lëvizje me disa nga personat që janë në të njëjtën dosje hetimore me të.

Ndaj ish-Ministrit, Prokuroria po zhvillon edhe një hetim pasuror, pas dyshimeve se një pjesë e pasurisë së tij është produkt i aktiviteteve kriminale. Por deri tani, pas gati një vit hetim, nuk janë gjetur të ardhura të dyshimta. Llogaritë e tij bankare, të familjarëve dhe pasuritë e paluajtshme rezultojnë të justifikuara.

Ndërsa për pjesën tjetër të personave që janë në hetim për trafik ndërkombëtar droge si pjesë e grupit të vëllezërve Habilaj, prokuroria ka vendosur sekuestron e disa pasurive, si tre dyqane, apartamente dhe një pikë karburanti të dyshuara si të krijuara nga veprimtaria kriminale.