AKTUALITET, 31 August 2026, 21:30

Gjendet e vdekur ish-e dashura e Charls McGonigal, Allison Guerriero tregoi edhe lidhjet e tij me Edi Ramën

Allison Guerriero, ish-e dashura e Charles McGonigal, ish-drejtorit të zyrës së kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, e cila kishte denoncuar tek autoritetet amerikane mbi aktivitetet e tij, është gjetur e vdekur, shkruan Daily Mail. 

Sipas raportimeve të Daily Mail, Guerriero, 52 vjeç, u gjet e vdekur në banesën e saj në South Florida, pasi vetëm pak orë më parë kishte publikuar rreth 75 postime në X..

Në një prej videove të fundit, ajo shfaqej duke ecur në rrugë dhe kërkonte që të vihej në qendër të vëmendjes edhe veprimtaria e zyrtarëve të tjerë federalë.

Në një tjetër postim, Guerriero kishte shkruar:

 ‘E urrej FBI-në.’

Vdekja e saj vjen në një moment kur ajo ishte rikthyer aktivisht në publik me postime dhe materiale mbi çështjen McGonigal.

Vdekja e Allison Guerrieros ka rikthyer në vëmendje një prej episodeve më të bujshme të dosjes McGonigal, ish-zyrtarit të kundërzbulimit të FBI-së, i cili u dënua në SHBA për vepra penale që lidhen me shkeljen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe fshehjen e pagesave që kishte marrë nga një ish-punonjës i inteligjencës shqiptare.

Ajo kishte qenë në një lidhje me McGonigalin dhe më pas u kishte dhënë autoriteteve amerikane informacion mbi aktivitetet e tij. Ajo ka denoncuar edhe marrëdhënien e ish-partnerit të saj me kryeministrin Edi Rama.

Guerriero deklaroi se McGonigal i kishte treguar se do të udhëtonte në Shqipëri për t’u takuar me Edi Ramën.

‘Ai po shkonte në Shqipëri për t'u takuar me kryeministrin Edi Rama’, kishte deklaruar ajo, duke shtuar se nuk i ishte treguar qëllimi i saktë i takimit.

Ajo deklaroi gjithashtu se McGonigal dhe Rama kishin një marrëdhënie personale dhe se ish-zyrtari i FBI-së fliste shpesh për kryeministrin shqiptar.

Guerriero u kishte thënë hetuesve amerikanë edhe për udhëtimet e McGonigal në Shqipëri dhe marrëdhëniet e tij me Ramën.

Këto deklarata morën rëndësi të veçantë pas publikimit të aktakuzës amerikane ndaj McGonigal, ku emri i Edi Ramës përmendej në disa pika të dokumentit.