TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, është bërë protagonist në këtë fundjavë me një akt të pazakontë dhune, duke goditur me grusht në fund të ndeshjes ndaj Elbasanit gjyqtarin anësor Ergys Spahiu.
Në pamjet e publikuara nga “Lol Albania” shihet momenti kur në fund të ndeshjes, Xhaferi shfaqet pranë tunelit të hyrjes së dhomave të zhveshjes dhe godet me grusht gjyqtarin i cili po shkonte në ambientet e brendshme të stadiumit, ndërsa më pas largohet nga të tjerët me forcë.
Videoja shton një tjetër element në dokumentimin e episodit që ka shkaktuar reagime të forta në opinionin sportiv dhe ka hapur debat për dhunën ndaj arbitrave në futbollin shqiptar.
Incidenti ndodhi pas përfundimit të sfidës mes Elbasanit dhe Vllaznisë, në një situatë të tensionuar që tashmë është bërë objekt reagimesh publike dhe pritet të vlerësohet edhe nga strukturat përgjegjëse të futbollit shqiptar.
Në pritje të reagimeve dhe vendimeve institucionale për incidentin, publikimi i videos së re pritet të shtojë presionin për një hetim të plotë dhe një qëndrim të qartë ndaj episodeve të dhunës në futboll.
Pritet që çështja të shkojë në Komisionin e Disiplinës, ku do të jepet një masë drastike ndaj Xhaferit, edhe pse ky i fundit në ditët e kaluara ka kërkuar që të merren masa ndaj gjyqtarëve për padrejtësitë që i bëhen ekipit të tij.