AKTUALITET, 30 Maj 2021, 11:11

Ftesa e Ramës për bashkëpunim, Basha: Karrem për të fshehur masakrën e 25 prillit, beteja vazhdon

Ftesa e Ramës për bashkëpunim, Basha: Karrem për të

Basha gjatë takimit me demokratët në Dibër u shpreh se shqiptarët anembanë Shqipërisë nuk kanë ndërmend të ngrenë duart dhe të pranojnë masakrën elektorale të 25 prillit, siç e quan ai.

Basha: "Kjo që është rruga më e vështirë e përballjes është rruga e drejtë dhe rruga e vendosur për përmbysjen e regjimit. Kush mendon se me kaq mbaroi e ka shumë gabim, kush mendon se shqiptarët në Dibër apo anembanë Shqipërisë, kanë ndërmend të ngrenë duart dhe të pranojnë këtë masakër, e ka gabim.

Kurrë nuk është dorëzuar dhe kurrë nuk do dorëzohemi përpara një pakice plaçkitësish, të cilët me 25 prill kanë kryer krimin fundor ndaj Dibrës dhe ndaj Shqipërisë. "

Ftesën për bashkëpunim të kryeministrit Rama, kryedemokrati e quan "karrem" për të fshehur masakrën e 25 prillit. Basha u shpreh se zgjidhja që propozon të udhëheqë nuk është ajo e kompromisit me të keqen, por e betejës deri në fund për të çuar në greminë ata të cilët i çuan në buzë të greminës më 25 prill.

Basha: "Sot, kundërshtari politik, i cili në fakt, është armiku i demokracisë, i Shqipërisë dhe i dibranëve, po mundohet ta fshehë masakrën zgjedhore duke na shtrirë dorën për bashkëpunim, pa vija të kuqe siç thotë, duke hedhur karremin që hajde të ndryshojmë ligjin zgjedhor, pasi ka bërë masakrën zgjedhore.

Pra, duke dashur që në një moment ligështimi, dëshpërimi të qytetarëve, të kompromentojë të vetmen forcë që ai e di, që jo vetëm e ka përballë po që pavarësisht prej masakrës së 25 prillit, jo vetëm nuk u gjunjëzua, po doli më e fortë dhe më e bashkuar nga Dibra, anembanë Shqipërisë.

Ndaj, me përgjegjësi dhe me barrë që na kanë ngarkuar shqiptarët, dibranët dhe mbarë shqiptarët për ndryshimin, sot, i vetëdijshëm për arritjet e kësaj beteje të pabarabartë, i vetëdijshëm për fuqinë që kemi projektuar vetëm përmes vlerave tona, dua t’ju them se zgjidhja që unë propozoj dhe me të cilën dua të vazhdoj t’ju udhëheq, nuk është ajo e kompromisit me të keqen por e betejës deri në fund për të çuar në greminë ata që i çuam buzë greminës me 25 prill. "