AKTUALITET, 9 Prill 2019, 18:03

FOTO/ Ky është avioni me 160 pasagjerë ku ndodhi grabitja spektakolare e 10 milionë eurove


Një grabitje spektakolare ka ndodhur ditën e sotme në pistën e aeroportit të Rinasit, ku grabitësit kanë arritur të rrëmbejnë plotë 10 milionë euro të cilat po futeshin në avionin e linjës Tiranë-Vienë, për t’u transportuar jashtë vendit. Brenda avionit ka patur 160 pasagjerë. (foto më poshtë)

Si për ironi, grabitësit kanë qarkulluar me një mjet me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” dhe pa targa.

Mësohet se një person ka mbetur i plagosur gjatë përplasjes me armë, mes grabitësve dhe policisë dhe më pas ka ndërruar jetë dhe është gjetur i vdekur pranë lumit Tërkuzë. Grabitja ka ndodhur brenda terminalit të aeroportit.

Dyshohet se paratë i përkasin një banke të nivelit të dytë, por ende nuk bëhet i ditur emri i bankës.

Forcat RENEA vijojnë të jenë në ndjekje të autorëve, të cilët mendohet se janë larguar drejt Fushë Krujës. Grabitësit kanë hedhur granata në drejtim të policisë.

Njoftimi i policisë:

Pak minuta më parë, pranë aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas, dyshohet se disa persona ende të paidentifikuar, me maska dhe armë pasi kanë thyer derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, kanë grabitur një sasi lekësh në pistën e avionit dhe janë larguar.

Në ndjekje të tyre janë vënë forcat e FNSH dhe ato të Policisë Kufitare të Rinasit.

Gjatë ndjekjes në një rrugë dytësore, autorët kanë shkëmbyer zjarr me Policinë, e gjatë këtij shkëmbimi ka humbur jetën njëri prej autorëve të grabitjes. Policia ka gjetur ndërkohë dhe bllokuar një mjet fugon.

Forca speciale policore si RENEA e FNSH, të ndihmuara nga një helikopter janë ende në ndjekje të autorëve të grabitjes.

Të angazhuara në operacionin e gjerë janë edhe forca nga Policia e Tiranës, Lezhës, Dibrës e Durrësit.

/TPZ.al/