AKTUALITET, 2 Tetor 2019, 13:06

FOTO/ Dhunohet shtatorja e ish-mbretit Zog tek Stacioni i Trenit në Tiranë: Poshtë tradhtari, spiun i serbëve!


Një akt vandal ka ndodhur ditën e sotme në Tiranë, ku është dhunuar shtatorja e ish-mbretit Zog, e cila qëndron e vendosur tek ish-stacioni i Trenit në kryeqytet.

Në pjesën e bazamentit të kësaj shtatoreje është shkruar: Poshtë tradhtari. Spiun i Serbisë!

Shtatorja e Ahmet Zogut ka një lartësi prej tre metrash dhe është vendosur në fund të bulevardit “Zogu I”, pranë Stacionit të Trenit në Tiranë. Shtatorja prej bronzi u përurua në vitin 2012 nga qeveria e Sali Berishës.

Ahmet Zogu ka qenë përfaqësues i Shqipërisë nga periudha 1925 deri më 1939, kur edhe u largua nga Shqipëria pas invadimit të Italisë fashite.

Mbreti Zog vdiq si i arratisur më 1961 në Paris. Eshtrat e tij u sollën në vitin 2012 dhe u varrosën në Tiranë.