AKTUALITET, 16 Prill 2020, 10:52

FOTO/ Danimarka hap shkollat, si janë kushtet e reja brenda godinave, disa prindër akoma të frikësuar


Një ditë më parë, Danimarka rihapi shkollat dhe kopshtet si hapi i parë për të rinisur jetën pas një muaj kufizimesh për shkak të pandemisë së COVID-19.

Por shumë prindër, të shqetësuar për fëmijët, vendosën të mos i rikthejnë.

Nonne Hansen, nënë e dy fëmijëve dy dhe katër vjeç, ka vendosur që për momentin t’i mbajë në shtëpi.

“Para së gjithash, i mbaj fëmijët në shtëpi jo sepse nuk dua të punoj. Por sepse situata në kopshte para shpërthimit të epidemisë nuk ishte ajo që duhej dhe kushtet që po vendosin tani mendoj se janë edhe më te këqija”, tha ajo.

“Nuk mendoj se është e drejtë për fëmijët që të mos jenë në gjendje të përqafojnë miqtë. Nuk është e mundur që nëse shohin një shok, fëmijët të mos vrapojnë në këndin e lojërave”, shton nëna.

Mësuesit dhe stafi kanë punuar jashtë orarit për të përmbushur kërkesat e autoriteteve, si mbajtja e një distancës shoqërore.

“I kemi vendosur tavolinat dy metra larg, kemi sapun, dezinfektues në të gjithë mjedisin. Kemi vendosur vija në dysheme për të treguar distancën prej dy metrash dhe dyert janë të hapura në mënyrë që fëmijët të lëvizin lirisht, pa i prekur”, thonë mësuesit.

Vendimi i qeverisë për të rihapur shkollat dhe kopshtet ka shkaktuar një debat të nxehtë për balancimin e ekonomisë dhe mbajtjen e sigurt të popullsisë, shkruan euronews.

Kryeministrja Mette Frederiksen e mbrojti këtë veprim duke thënë se kjo do t’i lejojë prindërit të kthehen në punë dhe të ndihmojnë në ringritjen e ekonomisë.

Danimarka ishte një nga vendet e para evropiane që mori masat e mbylljes. Tani ka regjistruar një ulje të numrit të viktimave dhe të të prekurve me koronavirus.

Tashmë po përballet me fazën e dytë, zgjedhjet e vështira për të kapur ritmin dhe për të rihapur shoqërinë.