AKTUALITET, 3 Shtator 2018, 17:21

Fillon sesioni i ri parlamentar, opozita bojkoton, Ruçi shpall sukseset e sesionit të shkuar

Fillon sesioni i ri parlamentar, opozita bojkoton, Ruçi shpall sukseset e

Pasditen e sotme, ka filluar sesioni i ri parlamentar, ku opozita nuk ka marrë pjesë. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, kanë bojkotuar këtë seancë, për të treguar se ka një anomali në jetën parlamentare të vendit.

Nuk dihet nëse bojkoti i parlamentit do të vijojë, apo ai do të jetë vetëm për nisjen e sesionit. Në vend të pjesëmarrjes në Kuvend, opozita ka zgjedhur të zhvillojë një mbledhje, për të denoncuar situatën e kriminalitetit në Shkodër dhe në të gjithë vendin. Lulzim Basha, ka thënë se krimi sundon dhe se "Shqipëria nuk qeveriset më, por ministër i brendshëm janë banditët ndërsa Edi Rama vetëm hedh firma për PPP".

Më herët, opozita ka parlajmëruar "luftë" dhe destabilitet, nëse Edi Rama do të sjellë në Kuvend, projektligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar. Të gjendur përballë këtij presioni, mazhoranca e ka shtyrë paraqitjen e dekretit të Presidentit për këtë projektligj, për në datën 20 Shtator.

Në seancën e parë, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, numëroi një sërë arritjes të sesionit të shkuar, ku vendin kryesor e zinte reforma në drejtësi. Edhe pse sot vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë funksionale, mazhoranca e konsideron reformën në drejtësi një sukses.

Më pas fjalën e mori Taulant Balla, për të sqaruar se opozita gjendet në Shkodër, për të protestuar lidhur me situatën e rëndë të rendit publik. Balla u shpreh se në kohën e qeverisjes së PD-së, në Shkodër ka patur më shumë vrasje se gjatë qeverisjes së Rilindjes.

/TPZ.AL/ 

  LEXO EDHE: 

http://www.tpz.al/2018/09/03/lulzim-basha-ngre-alarmin-nga-shkodra-vendi-ne-duart-e-krimit/

http://www.tpz.al/2018/09/03/rilindasit-marshojne-te-vetem-drejt-kuvendit-fotot-pikante-perpara-fillimit-te-seances/