TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Vënia nën pranga e Eskobarit të Ballkanit, Klement Balili, e cila u konsiderua nga kryeministri dhe ministri i Rendit si një sukses i policisë, megjithëse uniformat blu kishin dështuar mësa 14 herë që ta kapnin, përfundoi si një fiasco. Deklarata e ish ambasadorit Lu se policia ose është e pa aftë ose nuk do që të prangosë rezultuan të vërteta.
Sepse, ashtu sikurse u tall për dy vite e gjysmë me “zhdukjen” e tij, po ashtu Klement Balili vuri në skenë edhe dorzimin e tij.
Le ti marrim me radhë etapat e këtij spektakli të paprecedent:
Dorëzimi si hero
Pasi pa një polici të kapitulluar dhe të pa aftë për ta mbërthyer Balili vuri kushtet e tij për tu dorëzuar. Ai jo vetëm zgjodhi datën se kur do ta bënte këtë, pra kur dosja të mbërrinte në gjykatë, pra që mos harxhonte shumë kohë në qeli siç ka pohuar vetë, por edhe mënyrën si do të kryhej dorëzimi.
Të martën e 15 janarit, në fshatin stiar të Delvinës ai doli nga shtëpia e tij. U nda si një hero me familjarët, bashkëfshatarët dhe miqtë e një zone ku ai ka punësuar mbi 1 mijë vetë. Pamjet e transmetuara më shumë i ngjanin skenave të filmit Narkos me Eskobrin real, sesa një ngjarjeje që zhvillohej në Shqipëri ku forcat e rendit ishin pothuajse inekzistente. Dhe si për ironi të të gjithëve Klemend Balili ishte kujdesur që e gjithë përcjellja madhështore të filmohej tamam sikur donte ta lëvizte thikën në plagën e hapur të një shteti krejtësisht impotent.
Pazari i drejtorit të policisë
Drejtori i Policisë Ardi Veliu, i cili e priste të kërkuarin më të madh në vend pas një pularie të braktisur do të jetë ndjerë tejet i prekur në krenarinë e tij si polic, nëse i ka mbetur ndopak e tillë. Sepse kushti i Klemend Balilit ka qenë i prerë: nuk dorëzohem përpara policëve të zakonshëm. Dhe Ardi Veliu u nis drejt Delvinës pa forca special, dhe më tepër si një person privat që do mbante një fjalë të dhënë. Sesa si përfaqësuesi i autoritetit të shtetit.
Mënyra gati personale me të cilën u soll me rastin e Balilit, e përforcon mjaft tezën e përgjimit se ai është sjellë njësoj edhe në rastin Fredi Alizotin, dëshmitarin fallco të policisë në rastin Babale. Kështu Ardi veliu më shumë po bën rolin e taksistit të të kërkuarve se atë të drejtorit të uniformave blu.
Përdhosja e shtetit
Ashtu sikurse e pranoi vetë në emisionin “Dritare me Rudinën”, Rigels Balili, nipi i të shumëkërkuarit dhe kreu i bashkisë Delvinë, ai ka qenë negociatori mes Klemendit dhe drejtorit të përgjithshëm të policisë: “Është vetëdorëzuar, unë kam bërë negociata me drejtorin e policisë bashkë me xhaxhain dhe kemi shkuar në zyrë. Që në datën 10 janar kanë nisur negociatat. Ai është shprehur edhe më parë që kur dosja të kompletohet dhe të shkojë në gjykatë, ai do të dalë para drejtësisë”.
Pra ky është pohimi skandaloz që një i zgjedhur nga populli, një njeri që paguhet me taksat e shqiptarëve hyn në zyrën e Drejtorit të policisë dhe flet në emër të njeriut që kërkohet nga DEA amerikane dhe nga interpoli.
Kaq i pa fuqishëm dhe i pabythë është treguar shteti shqiptar sa ka qenë i gatshëm të pranonte edhe këtë turp duke rënë në gjunjë para çdo kushti vetëm që ta mbyllte pataten e nxehtë Balili.
Ironia e avokatit
Kaq përpikmërisht i qëndroi Drejtori i Policisë Ardi Veliu paktit me Klemendin, sa për të respektuar kërkesën e tij që mos dorëzohej me bujë dhe para kamerave, ai e depozitoi në fillim në komisariatin NR 6 në Kombinat dhe jo në Drejtorinë e Policisë ku qenë mbledhur mediat. Dhe si për ti dhënë fund një dite talljeje cinike me shtetin, kur avokati i tij Theodhori Sollaku doli para mediave për t’u pyetur se përse klienti i tij vendosi të dorëzohej tani, ai u përgjigj me një nënqeshje therrëse. “Për ti kursyer shtetit 50 mijë euro.
Mbajtja e një njeriu në burg kushton dhe Klemendi ia shpëtoi këto para taksapaguesve”.
Pra ne duhet ti themi faleminderit Balilit që na nxori me fitim. Duhet ti jemi mirënjohës që nuk na shpenzoi as 100 mijë eurot që u vunë si shpërblim për kallëzuesin e tij.
Duhet t’ia dinë për të faleminderit gjithashtu edhe Sandër Lleshi dhe Edi Rama, që megjithëse simbole të një shteti me brekë nëpër këmbë, vazhduan gjatë gjithë ditës të bërtasin fitore dhe sukses.
/Lapsi.al